Meta: Reforma jo pronë e dyshes PD-PS
Kryetari i Lëvisjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka kërkuar që të fillojë sa më parë puna me reformën zgjedhore, një proçes ky i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës. Në kohën kur flitet për negociata mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste aleati i demokratëve në qeveri është shprehur se kjo reformë nuk i përket një ose dy partive, duke lënë të nënkuptuar se LSI është e pakënaqur nga mënjanimi i saj në këto negociata.
“Nxisim dialogun politik, ashtu sikurse nuk mund të pranojmë që për hir të dialogut për dialog, të dhunohen reformat, duhen lënë fjalët dhe të nisë puna. Për LSI reforma zgjedhore nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një çështje vullnetesh personale apo partiake, pasi karakteri gjithëpërfshirës i reformës nuk është çështje 2-partiake apo 3-partiake por është në interes të gjithë politikës dhe kryesisht gjithë qytetarëve në funksion të barazisë së votës”, u shpreh Meta.
Gjatë mbledhjes së kryesisë së LSI , kreu i kësaj force politike Ilir Meta bëri thirrje që të mos zvarriten më tej ligjet që këkrojnë shumicë të cilësuar dhe që janë kusht i proçesit integrues të vendit. Meta tha se është koha tashmë që ti jepet fund lojës me proceset integruese të qytetarëve shqiptarë.
Vetem nje angazhim i të gjitha forcave politike për të kaluar ligjet e integrimit do të bëjë të mudur që të kalojë me kosto të ulët kriza ekonomike që që ka përfshirë eurozonën.