E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta: Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në rajon, qeveria vjedh me taksat e larta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, ku thotë se  shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se kushdo në rajon. Në një postim në Facebook, Meta akuzon qeverinë se po vjedh shqiptarët me taksat e larta, teksa shton se ajo që qeveria duhej të bënte ishte të lehtësonte barrën fiskale.

“Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës. Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare. Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës”, shkruan Meta.

Bordi i Transparencës vendosi të premten rritjen e çmimit të naftës me 22 lekë për litër, duke e çuar në 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ndërsa benzina u rrit me 6 lekë për litër, nga 198 lekë, shkoi në 204 lekë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›