E Martë, 3 Nëntor 2026

Meta: U thërrita në SPAK për denoncimet e bëra ndaj qeverisë, s’kam besim te ky institucion

Ilir Meta ka sqaruar në një deklaratë me gazetarët arsyet pse u thërrit nga SPAK, arsye që nuk preferoi t’i jepte nga dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit.

Presidenti i Partisë së Lirisë tha se nuk ka besim te SPAK, ndërsa shtoi se ai është kthyer në një aleat të verbët të Ramës për t’i bërë presion opozitës.

“Unë nuk kam patur asnjëherë besim te SPAK. U krijua në mënyrë të paligjshme. Kemi qenë të detyruar të mbështesim SPAK dhe këdo dhe nuk ka arritje të SPAK. SPAK vetëm ka dëmtuar denoncimet që ka bërë opozita. SPAK është aleati më i verbër i Edi Ramës, përdoret për të mbajtur nën presion mediat, opozitën”, tha Meta.

Meta tha se arsyet pse u thërrit në SPAK ishin pikërisht denoncimet që ai ka bërë vazhdimisht ndaj qeverisë që kur ka qenë President e deri tani në opozitë.

“Unë jam thirrur në cilësinë e denoncues kryesor të ramaformës shkatërrimi i reformës në drejtësi. Pas u firmos me 140 deputetë vazhduan lojën ata. Zgjodhën Arta Markun me 68, ajo bëri emërimet sipas qejfit të saj, KLP sipas qejfit. KLP zgjodhi SPAK, sipas qejfit. Dhe tani jemi vendi më i korruptuar në Evropë. SPAK kontrollohet totalisht nga Edi Rama dhe strukturuar nga Ëngjëll Agaçi, personazh kryesor i Rai3 dhe ka marrë eksperiencën e duhur në Itali për aktivitete të tilla. Unë si denoncues i betimit të gjykatëses te Lana që e mbajnë mend të gjithë qytetarët. Edhe për rritjen e rrogave i drejtohet qeverisë Gjykata Kushtetuese, të paktën ti drejtohet Kuvendit. Kemi Gjykatë Kushtetuese që ka dhënë 99% të vendimeve pro qeverisë dhe kundër shqiptarëve. Jam thirrur si denoncues dhe bllokues i planeve të ndarjes së Kosovës, i modekretimit që donte Rama dhe mund të sillte luftë në Ballkan.

Jam thirrur si denoncues i aferës së detit që ka përgjegjësi kryesor Edi Ramën. Një ditë para se të lija detyrën i kam dërguar një letër çdo deputeti që të marrin përgjegjësi për një çështje madhore. Që nuk është një çështje e lehtë. Jam thirrur sepse kam denoncuar në SPAK krimet zgjedhore në vitin 2021 si president dhe SPAK nuk ka lëvizur gishtin. Ishte detyrë e SPAK të ndiqte denoncimin për njerëzit e pushtetit dhe SPAK ia kaloi Prokurorisë së Elbasanit. Kam çuar në SPAK gjithë ato ligje që Rama i ka bërë me porosi dhe nuk ka bërë asnjë veprim ndaj tyre. Jam thirrur se kam çuar në SPAK një nga aktet më të rëndë që ishte falsifikimi nga ana e Kuvendit i firmës së ish-kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi në procesin farsë ndaj presidentit. Jam thirrur për shkak të denoncimeve të aferës së inceneratorëve në muajin shkurt të vitit 2021, por SPAK nuk lëvizi para zgjedhjeve. Këto janë cilësitë pse jam thirrur, ngaqë jam kryetari i Partisë së Lirisë dhe kurrë nuk do lejoj ekzekutimin e pluralizmit por që Shqipëria të lëngojë nga ky narkoshtet”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›