Meta: Vendi ka nevojë për ristrukturim afatgjatë të modelit ekonomik
Meta: Vendi ka nevojë për ristrukturim
afatgjatë të modelit ekonomik
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi dje forumin ekonomik me temë, Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për punësim të sigurt. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta bëri publike planin e forcës politike që ai drejton për sa i përket ekonomisë në vend. Të kemi një ekonomi që prodhon, të ulim importet dhe të kemi mundësi të rrisim eksportet. Remitancat janë në rënie, që kanë qenë burimi kryesor i financimit të ekonomisë. Probleme të tjera që kanë të bëjnë me taksat. Për ne e para është që në të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë për ekonominë e vendit, nga një ekonomi konsumi në ekonomi të orientuar drejt prodhimit. E gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të hapen vende të reja pune. Sa i takon tregut. Absolutisht për ne avantazhet e një ekonomie që bazohen tek tregu i lirë duhet të shoqërohen me rolin rregullator të qeverise, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të përfitojnë, u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI-së, çështjet ekonomike që po trajtohen këto ditë janë vetëm për fushatë elektorale. Debatet që ne po ndjekim në fushatë tregojnë për një konkluzion, është një mungesë qartësie dhe trajtim i çështjeve thjesht për përfitime të shpejta elektorale. Duke mos dhënë një strategji të qartë që të garantoje se si Shqipëria të mos shkojë drejt recesionit. Kemi shume kambana të cilat kërkojnë një kthjelltësi dhe orientim të shpejtë, për një ristrukturim afatgjatë të modelit tonë ekonomik, deklaroi Ilir Meta.
PDIU, Idrizi: Do të jemi zëri
patriotik në parlamentin e ardhshëm
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli fushatën elektorale në qytetin e Lushnjës ku prezantoi kandidatin e saj për deputet në këtë zonë. Në nisje të fjalës së tij, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi përshëndeti vendimin për lirimin e Fatmir Lamaj. Nga qyteti i Kongresit, unë dua të përshëndes mikun tim Fatmir Limaj dhe ti them se ne e duam Shqipërinë të bashkuar, duke vazhduar në këtë mënyrë amanetin e dëshmorëve të UÇK-së, u shpreh Idrizi. Më pas Idrizi u ndal tek arritjet e PDIU-së në këto 4 vite, ku më kryesorja është Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Në këto 4 vite, edhe pse ishim vetëm dy deputet në Parlamentin e Shqipërisë, kemi arritur të bëjmë shumë gjëra për çështjen kombëtare dhe çështjen çame. Fal presionit tonë, politika shqiptare nxori nga arkiva Rezolutën e vitit 2004 duke konfirmuar se ajo ishte e miratuar. Miq, ne sot nuk jemi këtu për të treguar ato që kemi bërë, por po kërkojmë votën e çdo shqiptari, duke i garantuar ata se ne do jemi zëri patriotik në Parlamentin e Shqipërisë, duke siguruar respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë. Ne do garantojmë që çdo gërmë e Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, të respektohet dhe zbatohet nga shteti shqiptar, tha Idrizi.
Policia i bllokon makinën kandidatit, LSI: Dënojmë aktin
Ditën e djeshme është shënuar edhe incidenti i radhës i fushatës elektorale të 23 qershorit. Ngjarja ka ndodhur në Has ku policia e këtij qyteti ka bllokuar për më se tre orë makinën e kandidatit për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Qemal Elezi. Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe LSI e cila ka dënuar aktin ndërsa i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Flamur Noka të distancohet nga kjo ngjarje. Lëvizja Socialiste për Integrim dënon fort përdorimin politik që i bëhet policisë së shtetit në këtë periudhë zgjedhjesh, dhe i bëjmë thirrje Ministrit të Brendshëm, z. Noka, i cili është edhe kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun Kukës, të distancohet menjëherë nga këto akte të papranueshme dhe të mbajë qëndrim të menjëhershëm zyrtar, në mënyrë që Policia e Shtetit të mos jetë pjesë dhe vegël e lojërave të ulëta politike, por të tregojë profesionalizëm dhe integritet në ushtrimin e detyrës që i ka hije uniformës së policit, thuhet ndër të tjerash në reagimin e LSI-së.