E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta e Rama takohen në Tetovë, bashkë për 1 orë

Meta dhe Rama gjate takimit

Kreu i Partisë socialiste Edi Rama dhe ai I LSI-së, Ilir Meta, ishin dje bashkë si politikanët më të lartë të së majtës në ceremoninë e varrimit të Arbën Xhaferit. Pas homazheve të zhvilluara në selinë e PDSH-së së shqiptarëve të Maqedonisë, Meta dhe Rama ishin ulur pranë njëri-tjetrit në ambientet e hotel Lirak, pak metra larg selisë së PDSH-së. Nën shoqërinë e tyre ishin zyrtarë të lartë të PDSH-së, por dhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, si kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe deputetë të tij. Pak më tutje, anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, ishte ulur në një tjetër tavolinë, i rrethuar nga anëtarë të PDSH-së, por dhe simpatizantë të tjerë të Arbën Xhaferit. Qëndrimi i Ramës dhe Metës ka zgjatur për rreth një orë, nën shoqërinë e një grupi të madh miqsh të përbashkët. Gjatë kësaj kohe, Rama dhe Meta kanë qëndruar shumë të ftohtë mes tyre. Rama komunikonte vazhdimisht me SMS dhe celular, ndërsa Meta bisedonte me të pranishmit që ndodheshin në atë tryezë. Ndonëse pati një presion të madh nga punonjës të zyrës së shtypit të PS-së, që shoqëronin Ramën në këto homazhe, ne mundëm të fiksonim një moment nga ky qëndrim i tyre pranë njëri-tjetrit. Kur kortezhi i gjatë që përcolli arkivolin me trupin e Arbën Xhaferit nisi tu drejtohej varrezave të qytetit, pjesëmarrësit e tjerë u larguan për tiu bashkuar kortezhit ët gjatë të politikanëve dhe qytetarëve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare. Bashkë me ta, edhe Pandeli Majko e Albin Kurti. Rama dhe Meta ndenjën së bashku nën shoqërinë e një prej miqve më të vjetër të Arbën Xhaferit, Miftar Nasufit, me të cilin qëndruan edhe për disa minuta. Në fillim Meta e më pas Rama u larguan nga restoranti i hotelit, secili me makinat e tyre, ndërsa në varrezat e qytetit zhvillohej ceremonia e fundit e përcjelljes së Arbën Xhaferit.

GJIRI I LALZIT

Takimi i fundit jozyrtar i Edi Ramës dhe Ilir Metës u zhvillua pak kohë para zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në vilën e tij në Gjirin e Lalzit, Meta ftoi Ramën për një darkë pune, i cili nga ana e tij e mirëpriti ftesën pa hezituar. Darka e Gjirit të Lalzit pati një jehonë të gjerë në jetën politike shqiptare, ku LSI u bë faktori kyç në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Nga shumë socialistë kjo darkë dhe ky takim jozyrtar u konsiderua si tradhti e Edi Ramës ndaj të majtës dhe kauzave antikorrupsion të saj. Nga shumë drejtues të PS ky takim u pa si një mundësi e re bashkëpunimi mes PS dhe LSI, që mund të çonte jo vetëm në zgjedhjen e Presidentit konsensual me pëlqimin e PS, por dhe në një mocion besimi të Kryeministrit. E gjithë dilema e zgjedhjes së Presidentit u zgjidh nga Kryeministri Berisha, ndërsa mes Ramës dhe Metës nisi një stinë e re e ftohtë, me akuza për korrupsion, si pjesë e qeverisë së maxhorancës së djathtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›