Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi: Ju rrëfej 365 ditët e drejtimit të FA
Më 8 gusht Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi mbushi një vit në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në këtë intervistë rrëfen udhëtimin njëvjeçar si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH. Gjeneralmajor Gjunkshi flet për udhëtimin 1-vjeçar në krye të FARSH, arritjet kryesore, aktivitetet më të rëndësishme organizuar nga MM dhe Shtabi i Përgjithshëm si dhe flet për procesin e implementimit të Tabelës së Organizimit dhe Pajisjeve në FA dhe promovimin në karrierë të ushtarakëve nga gradat e ulëta deri në gradat madhore
Gjeneralmajor Gjunkshi, më 8 gusht mbushët një vit në detyrën tuaj. Si e shikoni këtë udhëtim njëvjeçar tuajin dhe FA?
Të drejtosh FA është një privilegj i madh, por është edhe një detyrë që bart në vetvete shumë përgjegjësi si përpara kolegëve, eprorëve, vendit si dhe institucioneve të tjera në të cilat ne aderojmë. Kur ka kaluar një vit që unë kam marrë detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe gjatë kësaj periudhe kam pasur mundësinë ta njoh ushtrinë dhe FA nga një këndvështrim tjetër, më holistik dhe në ndryshim nga detyra e komandantit të një njësie të FA. Detyra e SHSHP ka të spikatur faktin se je në qendër të të gjitha problematikave me të cilat merren FA, shtohen elementët e diplomacisë ushtarake, ato të njohësit të politikës por edhe të raporteve dhe marrëdhënieve të caktuara shtetërore e ndërshtetërore si në nivel bilateral ashtu dhe më gjerë. Mund të them se në përgjithësi ky vit ka qenë me të vërtetë një udhëtim shumë mbresëlënës.
Cilat janë arritjet më të rëndësishme të FA në këto 365?
Arritjet janë të prekshme, por po ndalem në disa prej tyre. Ka vazhduar me sukses dhe cilësi të re angazhimi dhe pjesëmarrja e trupave tona në misionet paqeruajtëse, angazhim ky që vazhdon të vlerësohet me notat më pozitive nga të gjithë aleatët tanë. Ne filluam dhe po vazhdojmë prej një viti Procesin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes. Ai është një proces i rëndësishëm, fryt i bashkëpunimit të ngushtë të FARSH me Zyrën e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes. Shtabi i Përgjithshëm është i angazhuar konkretisht me kontribute dhe ekspertizë në analizimin e kapaciteteve operacionale si dhe kostot që do të ketë ky proces në buxhet. Procesi i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes do të përfundojë me shtrirjen e një kalendari realist për FA, me qëllim ndërtimin e një strukture force që do ti përgjigjet sfidave të mjedisit strategjik në të ardhmen. Një arritje kulmore për FA përbën dhe përfundimi i asgjësimit të sasisë së përcaktuar të municioneve të tepërta me shpërthime në poligonet e hapura, proces i cili përfundoi në muajin qershor të këtij viti. Procesi i demontimit të sasisë së mbetur do të kryhet në uzinat e demontimit të municioneve dhe se angazhimi i FA në realizimin e objektivit për të përfunduar procesin e eliminimit të municioneve të tepërta dhe të vjetruara të trashëguara nga regjimi i kaluar, deri në fund të vitit 2013 është i plotë dhe maksimal. Rritja e efikasitetit të stërvitjeve ka qenë dhe mbetet fokusi kryesor i FARSH. Vëmendja kryesore është përqendruar në certifikimin e njësive të deklaruara në NATO Pool of Forcës. Nuk është lënë pas dore edhe përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së stërvitjes që është i lidhur ngushtësisht me procesin e certifikimit dhe përgatitjen e trupave për pjesëmarrje në mision. Arritja më sinjifikative është krijimi i Qendrës së Simulimit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në këtë qendër që nga muaji Nëntor i këtij viti do të zhvillohen stërvitje të nivelit togë deri në brigadë. Synimi ynë është ta përdorim këtë qendër edhe për zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta në nivel rajonal. Gjatë këtij 1-vjeçari është bërë rishikimi i Tabelës së Organizimit dhe Pajisjeve (TOP) me synim lehtësimin nga strukturat e tepërta në shtabe dhe rrjedhimisht rritjen e operacionalitetit të njësive. Këto ndryshime në TOP janë bërë në përputhje me orientimet e Konceptit të Ri Strategjik të NATO-s dhe ndryshimet thelbësore të Mjedisit të Sigurisë në rrafshin global dhe rajonal. Në fushën e menaxhimit të personelit ne kemi ecur me parimin se burimet tona njerëzore janë aseti më i çmuar i FARSH. Menaxhimit të suksesshëm të personelit i shërben edhe hartimi i Strategjisë së re të Menaxhimit të Personelit që kemi filluar tashmë ta implementojmë. Automatizimi i të dhënave të personelit që u realizua në bashkëpunim me kompaninë amerikane të atashuar në Ministrinë e Mbrojtjes CUBIC, do ti shërbejë drejtpërdrejt promovimit të njerëzve më të kualifikuar dhe emërimit të personit të duhur në vendin e duhur. Arritje u siguruan edhe në fushën e arsimimit dhe kualifikimit të profesional të efektivit në sistemin e shkollave tona ushtarake dhe jashtë vendit, që nga kurset më të thjeshta të ushtarit e nënoficerit deri tek kursi i Lartë i Oficerit dhe masterat e doktoraturat në fushën e sigurisë e mbrojtjes. Procesi i Standardizimit të FA është një tregues suksesi në përpjekjet tona për zhvillimin e transformimit dhe arritjen e ndërveprimit me NATO-n. Deri më tani janë ratifikuar më shumë se 100 STANAG-e dhe Publikime të Aleancës, ndër to edhe doktrinat themelore të Aleancës. Paralelisht me ratifikimin e STANAG-ve fokusi i strukturave në FASH po vihet tashmë në zbatimin e plotë të tyre. Këto publikime janë bërë pjesë e kurrikulave dhe programit mësimor në Akademinë e Mbrojtjes. Krahas procesit të standardizimit, vazhdon dhe ai i modernizimit të Forcave të armatosura. Ky proces po ecën përpara dhe sapo është konkretizuar me prodhimin e anijes së dytë të Forcave Detare. Gjithashtu po punohet për prodhimin e anijes së tretë, si dhe ka filluar ardhja në vendin tonë e helikopterëve EUROCOPTER-COUGAR, prodhim i standardeve të NATO-s. Në kuadër të integrimit të plotë në NATO, një proces tepër i rëndësishëm ka qenë implementimi i objektivave të forcës. Aktualisht sapo jemi njohur me Paketën e re të Kapaciteteve (Neë Capability Targets), që përcaktojnë në mënyrë të qartë se si do të zhvillohen Forcat tona të Armatosura në vitet në vazhdim. Puna sapo ka filluar për ngritjen e grupeve të punës që do të analizojnë, studiojnë dhe zbërthejnë në plane reale implementimi këto objektiva në përputhje me kërkesat e NATO-s. Aktiviteti më i rëndësishëm i FARSH në procesin e integrimit të plotë në NATO për këtë vit ishte Konferenca e 5-të e Integrimit, e cila me suksesin që pati i dha një shtysë të fortë procesit të integrimit në Aleancë, gjë që e bën edhe më të sigurt vazhdimin e mëtejshëm të procesit të vështirë të integrimit. Arritje ka dhe në fusha të tjera, por doja të theksoje se pas çdo arritje, qëndron puna e palodhur, përkushtimi shpesh deri në vetëmohim, disiplina e gatishmëria e të gjithë ushtarakëve dhe punonjësve të FA. FARSH gjatë një viti kanë dhënë kontributin e tyre tepër të rëndësishëm në përballimin e emergjencave civile si në përballimin e pasojave të përmbytjeve apo përballimi i kushteve të vështira të dimrit gjithashtu dhe ne shuarjen e zjarreve. Ndihma ndaj komunitetit nuk ka qenë vetëm në rastet e emergjencave po kontributi konkret ka qenë dhe në hapjen e rrugëve, ndërtimin e urave, heqjen dhe pastrimin e minave apo predhave të vjetra që dalin punimet apo gërmimet, largimin e dherave apo gurëve që rrezikojnë shtëpitë e banimit apo bllokimin e rrugëve, bashkimit të nismës së qeverisë Për një Shqipëri të Pastër, në kuadër të Ditës Kombëtare të Tokës, si dhe ndihmën maksimale për përballimin e aksidentit tragjik që ndodhi në muajin maj në Himarë.
Cilat janë aktivitetet më të rëndësishme të MM dhe Shtabit të Përgjithshëm të FARSH?
Ndër aktivitetet e shumta do të theksoj zhvillimin në vendin tonë të Konferencës së Komandantëve të Forcave Tokësore të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere