E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta flet vetëm për votat e LSI-së, Berisha për votat e koalicionit

Kryeministri Sali Berisha u shfaq përpara deputetëve të tij për të thënë se kishte fituar zgjedhjet, por këtë gjë nuk e kishte bërë partia e tij, që është zhytur në një minimum historik, por koalicioni. Në asnjë moment Berisha nuk e ka përmendur se partia e tij është parti e dytë me 100 mijë vota më pak se PS, por është kënaqur me faktin se koalicioni po fiton.

Ne kurorëzuam këtë fushatë zgjedhore dhe mbyllëm këto zgjedhje si koalicioni që mori, meritoi  mbështetjen më të madhe, një mbështetje rekord, një mbështetje historike. Në raport me kundërshtarin tonë, ne kemi 17 për qind më shumë vota, kemi 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin. Ky është një plebishit madhështor i qytetarëve shqiptarë për suksesin e reformave të qeverisjes, tha Berisha.

Nga ana tjetër, kryetari i LSI, Ilir Meta, në një dalje publike sot nuk tha asnjë fjalë për rritjen e koalicionit, por për rritjen e partisë së tij, LSI në këto zgjedhje.

Po kështu unë dua të falënderoj të 120 mijë votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në shkallë vendi për mbështetjen e konsiderueshme që i dhanë forcës sonë politike, për konfirmimin e një besimi të plotë, të qëndrueshëm dhe në rritje karshi LSI-së, si një forcë e domosdoshme për stabilitetin e vendit, për modernizimin e tij dhe njëkohësisht për shtimin e kontributeve të saj në drejtim të procesit integrues. Ky është një rezultat shumë më i mirë se sa ai i zgjedhjeve të fundit, LSI ka arritur të marrë 45 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet e fundit të vitit 2009 por natyrisht që ky rezultat nuk është i njëllojtë kudo prandaj edhe është e rëndësishme që ky rezultat ti nënshtrohet një analize të plotë dhe të hollësishme, jo vetëm atje ku rezultatet kanë qenë shumë më të mira por dhe ku nuk kemi arritur rezultatet e pritshme, tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›