E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta fton Berishën e Ramën: Votoni tre ligjet, i vetmi shans për të kapur trenin e fundit

Ndërsa Kuvendi dështoi edhe këtë të enjte në gjetjen e një konsensusi mes palëve për të kaluar tre ligjet për integrimin, kreu i LSI Ilir Meta në një konferencë të rrufeshme dhe deklarative ka apeluar krerët e partive parlamentare, në mënyrë të vecantë zotin. Berisha dhe z.Rama të gjejnë vullnetin për miratimin e tre kushteve të BE brenda këtij sesioni parlamentar.

Gjetja e konsensusit do ishte një shenjë e mirë përballë interesave madhorë që ka vendi duke lënë pas të kaluarën dhe konfliktualitetin politik. Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shance që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti deklaroi Meta.

Meta më tej renditi përparësitë dhe sugjerimet për rregulloren dhe dy ligjet.

Me miratimin e rregullores së re të parlamentit do të bënte të mundur që parlamenti i ri i paszgjedhjeve të 23 qershorit të fillonte punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira. Ligji për statusin e nëpunësit civil paraqet një rëndësi të madhe, pasi ligji aktual lejon shumë hapësira për hakmarrje politike. Lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartë, mund të them se është i rëndësishëm miratimi i këtij ligji, nisur edhe nga disa emërime të nxituara në Gjykata kohët e fundit, që ngjajnë më shumë me karakter partiak se lëvizje që synojnë forcimin pavarësisë së gjyqësorit tha ai.

Kuvendi miratoi sot projektvendimin për mbylljen më 25 maj 2013 të punimeve të Legjislaturës së XVII-të në 25 maj 2013. Opozita nuk ka qenë e pranishme në votimin për legjislaturën.

“Kuvendi vendosi që Legjislatura e XVII-të e Kuvendit të Shqipërisë të mbyllet më 25 maj 2013″, citoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli pr/vendimin e miratuar sot.

Sipas Kushtetutës, me vendim të Kuvendit, mbyllja e Legjislaturës ose shpërndarja e Parlamentit bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›