E Diel, 1 Nëntor 2026

Basketboll, Berisha mbetet pa evropian

Varshavë, 31 gusht - Përfaqësuesja e Polonisë, për të cilën paraqitet basketbollisti kosovar Dardan Berisha, ka dështuar të kualifikohet në kampionatin evropian që vitin e ardhshëm mbahet në Lituani. Polonia të dielën mbrëma në ndeshjen e fundit të eliminatoreve u mposht si mysafire nga Belgjika me rezultat 70:67. Pas kësaj humbje, Polonia ra në pozitën e katërt të grupit C me 12 pikë. Belgjika përfundoi e para me 14 pikë dhe u kualifikua në "Eurobasket 2011". 22-vjeçari Berisha u paraqit në pesëshen startuese të Polonisë. Për 30 minuta lojë ai pati gjashtë pikë, katër kërcime dhe një bllokadë. Shënoi dy nga tri tentimet për tri pikë, ndërsa huqi në tentimin e vetëm për dy pikë. Ai dështoi të shënoi për dy pikë, 53 sekonda para fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte 70:67 në të mirë të Belgjikës. Në tetë ndeshjet eliminatore, Berisha luajti me mesatare prej 6,9 pikësh. Basketbollisti pejan edicionin e ardhshëm do të luajë në skuadrën e njohur polake, Anwil.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›