“Meta i bëri rezistencë policisë”, ministri Hoxha: Efektivët zbatuan vetëm ligjin

Në të parin reagim pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka hedhur poshtë akuzat ndaj policisë se gjatë ndalimit të kreut të Partisë së Lirisë u përdor dhunë.
Hoxha është shprehur se arrestimi është bërë nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit të cilat sipas tij kur kanë në dorë një urdhërarrest të lëshuar SPAK nuk kanë asnjë alternativë tjetër vetëm të ndalojë personin e kërkuar. Madje ministri Brendshëm ka thënë se ka qenë presidenti Meta që ka tentuar të përdorë forcën ndaj efektivëve.
“Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi”, tha Hoxha.
Hoxha theksuar se situata do të kishte rrjedhur ndryshe nëse presidenti i Partisë së Lirisë nuk do të kishte bërë rezistencë.
“Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua. Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici”, u shpreh ministri.
Ministri i Brendshëm u është përgjigjur akuzave të Partisë së Lirisë edhe për vendin e ndalimit të ish presidentit dhe ish-kryetarit të kuvendit.
“Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg”, tha ai.
Menjëherë pas arrestimit opozita ka akuzuar policinë se mori peng Ilir Metën me forcë ndërkohë që ai kishte lajmëruar një konferencë për shtyp në selinë e Partisë së Lirisë. /vizionplus.tv