E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta i shqetësuar: “Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit”

Presidenti Ilir Meta i është kthyer edhe një herë me shqetësim fenomenit të shpopullimit të Shqipërisë. Sipas një raporti të Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, zoti Meta shkruan në Facebook se Shqipëria kryeson listën e vendeve që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020. Presidenti me shqetësim vlerëson se “Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit”. “Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë” shkruan zoti Meta.
Presidenti shqiptar shkruan se “…duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve”. “Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve” mbyll satusin e tij zoti Meta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›