Pranvera dhe turistët, gjallërojnë Përmetin

Gjatë kësaj periudhe pranverore, qyteti i Përmetit përveç natyrës që po rizgjohet po gjallërohet edhe nga turistët vendas e të huaj që preferojnë të kalojnë të paktën fundjavën këtu. Edhe pse jemi në kohë pandemie, një numër i konsiderueshëm vizitorësh vjen në Përmet për të shijuar natyrën e bukur por edhe mikpritjen e vendasve. Sipas specialistit të turizmit në këtë bashki Edjon Maliqi, ky vit edhe pse ka qenë pak i vështirë për shkak të pandemisë, sërish i ka patur dhomat e hoteleve dhe të bujtinave familjare në qytet, të rezervuara.
“Sigurisht që qyteti i Permetit, vitet e fundit ka pësuar një hov të madh në fushën e turizmit. Ky vit ka qenë pak i vështirë për shkak të pandemisë në të cilën ndodhemi por kjo pjesë ka prekur vetëm turistët e huaj pjesa e turistëve vendas nga ana tjetër, ka pësuar një hov të madh. Kjo nuk është një rastësi por ka ardhur për shkak edhe të investimeve që janë kryer në bashkinë e Përmetit. Ne jemi gjithnjë në rritje sepse në Përmet nuk është vetëm një turizëm që mund të praktikohet. Kemi turizmin e kulturës, turizmin e aventurës, turizmin malor, turizmin gastronomik . Edhe këto këto kohë para hapjes së sezonit turistik, qyteti, fundjavave është i mbushur plot vizitorë dhe është disi e vështirë që ne të përballojmë gjithë atë fluks që kemi. Vetëm këtë vit në Përmet, pritet të hapen diku tek 10 me 12 guest house të reja, vetëm për të përballuar fluksin”, shprehet Edjon Maliqi, specialist turizmi në bashkinë e Përmetit.
Rritja e numrit të vizitorëvë do të ndikojë jo vetëm në ekonominë e këtij qyteti por edhe në rritjen e stafit të hotelerive dhe lokaleve pra si pasojë në rritjen e punësimit të banorëve.