E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta letër homologëve kinez e pakistanez për viktimat e përmbytjeve

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i ka dërguar një letër homologut të tij kinez Yang Jiechi ku i përcjell ngushëllimet e tij për viktimat e përmbytjeve dhe shirave të dendur në kantonin Zhouqu të provincës Gansu. Ndër të tjera, Meta shkruan:

"Me hidhërim të thellë mësova lajmin për pasojat tragjike të shkaktuara nga përmbytjet dhe shirat e dendura në kantonin Zhouqu të provincës Gansu, në veri perëndim të vendit tuaj, nga të cilat kanë humbur jetën më shumë se 700 persona. Më lejoni, që në këto momente të vështira dhe dhimbje të thellë për viktimat, t' ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta ju, qeverisë suaj, popullit mik kinez si dhe të ndaj me familjet e viktimave hidhërimin për humbjen e të afërmve të tyre".

Ndërkohë që në një letër drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Pakistanit, z. Makhdoom Shah Mehmood Qureshi, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet e sinqerta për viktimat e përmbytjeve të ditëve të fundit në disa provinca të vendit.

Ndër të tjera, Meta shkruan: "Më lejoni t'ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për viktimat dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit në disa provinca të vendit Tuaj. Më lejoni të ndaj me ju këtë dhimbje të thellë që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore dhe t'ju shpreh juve personalisht, qeverisë dhe popullit mik pakistanez, ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit dhe ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e viktimave".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›