E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta letër informuese deputetëtve për çështjen e negocimit mes Shqipërisë dhe Greqisë për detin

Presidenti Ilir Meta, në prag të largimit nga presidenca, i ka dërguar një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, si dhe deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Presidenti në largim e komenton këtë veprim të tijin “në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës”.

“Sot, në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare. Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej”,- thuhet në njoftimin e presidentit Meta. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›