Meta, mesazh ngushëllimi për vdekjen e presidentit Kaczynski

Tiranë, 10 prill, NOA Listës së
personaliteteve shqiptare që kanë ngushëlluar autoritetet polake për tragjedinë e avionit polak në
Rusi, i është shtuar dhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Në një telegram ngushëllimi drejtuar homologut
të tij, Radoslaw Sikorski, Meta shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së
presidentit Kaczynski dhe delegacionit që e shoqëronte atë.
Me një tronditje të fortë dhe me hidhërim të thellë mësova lajmin e aksidentit tragjik, të mëngjesit të sotëm, që pësoi avioni ku udhëtonte Presidenti Lech Kaczynski, Zonja e tij, si dhe delegacioni me dinjitarë polakë, që fluturonte drejt Smolenskut, për të marrë pjesë në ceremonitë e lokalitetit Katyn, në respekt të kujtesës historike, është shprehur Meta në mesazhin e tij.
Ai vlerëson se humbja e madhe që po përjeton Polonia dhe populli mik polak, na kanë prekur rëndë dhe shumë thellë të gjithëve.
Meta shpreh ngushëllimet e tij për ministrin e Jashtëm, anëtarët e kabinetit qeveritar polak, popullin polak, si dhe familjeve që ndjejnë drejtpërdrejt këtë humbje. m.xh/NOA