Meta nga Jala: Beteja jonë për 200 vitet që vijnë! Javët e para të shtatorit, një “pranverë” e jashtëzakonshme

Nga kampi i rinjve të Partisë së Lirisë në Jalë, kreu i kësaj partie, Ilir Meta i bëri thirrje atyre që të mos braktisin vendin. Në ditën e fundit të qëndrimit të tyre në këtë kamp, Meta i kërkoi të rinjve t’i bashkohen opozitës në atë që e konsideroi “betejën për 200 vitet e ardhshme”.
Kreu i PL akuzoi qeverinë se punon vetëm për një “pakicë të babëzitur”, teksa paralajmëroi se aksioni opozitar për largimin e kryeministrit Edi Rama do të fillojë fuqishëm në shtator.
“Sot është dita e fundit në këtë kamp. E dimë se kush është beteja jonë. Është beteja për 200 vitet që vijnë. Nuk kemi atdhe për të humbur. Nuk kemi atdhe për të braktisur. Fundi i kësaj drame është që rinia dhe mundësitë për respektimin e saj dhe integrimin e saj është prioriteti i prioriteteve tona. Mos zgjidhni rrugën e gabuar për të braktisur vendin, hajdeni bashkohemi e bëjmë punën më të lehtë të shporrim këtë qeveri, që punon për një pakicë të babëzitur, që nuk e lidh asgjë me vendin tonë të bukur, e ti japim Shqipërisë shkëlqimin që meriton. Rinia në veprim është rinia në vendimmarrje, është rinia në çdo hap dhe çdo mendim të jetës sonë. Si prindër si të rinj, si gjyshër dhe mbi të gjitha si patriotë që e duam këtë vend. Javët e para të shtatorit do të jenë një pranverë e jashtëzakonshme dhe shumë e vonuar. Ne do fitojmë dhe do u japim edhe lirinë patronazhistëve”, tha Meta.
Meta po hetohet nga SPAK për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri, pas një investigimi të gazetës austriake “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
/rtsh.al/