Hetimet për lobimin/ SPAK kërkon të dhëna për llogaritë bankare të LSI! Meta: Krijesa e partisë po vepron si seksion i Rilindjes

Hetimet që SPAK ka nisur për lobimin e LSI, që akuzohet se ka paguar 700 mijë dollarë përmes një kompani guaskë qipriotë, po sjellë reagime të ashpra dhe akuza të përditshme të drejtuesit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Teksa SPAK vijon punën dhe mësohet se tashmë i ka kërkuar KQZ-së të gjitha pasqyrat financiare të depozituara nga LSI përgjatë fushatave elektorale dhe u ka kërkuar bankave të dhëna për llogarit bankare të LSI dhe transaksionet e kryera drejt zyrave të lobimit, Meta e cilëson SPAK si “krijesë e partisë-shtet”.
Meta shkruan se kjo bëhet vetëm për të spostuar vëmendjen nga aferat e vërteta që janë ato të inceneratorëve.
‘Hetimet tona vazhdojnë të thellohen dhe rëndohen jo vetëm për aferën e zezë të inceneratorëve, jo vetëm për superaferën e Portit të Durrësit kosto e të cilit mund të shkojë deri në 5 miliardë euro për taksapaguesit durrsakë dhe shqiptarë, por edhe për shumë afera të tjera, garant dhe përfitues kryesor i të cilave është Ramoviçi dhe për të cilat do të përgjigjet deri në një. Përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur “krijesat” e Partisë në drejtësi për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me “hetime” qesharake ndaj drejtuesve të opozitës tregojnë vetëm përpëlitjet e fundit të regjimit kriminal për të shtyrë me ditë dhe javë llogaridhënien e tij të pashmangshme. Krijesat e Partisë që marrin urdhra në Kongresin e partisë-shtet veç forcojnë bindjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm se janë një seksion i Rilindjes dhe përgjegjëse po sa ajo për korrupsionin galopant dhe lidhjet e krimit me politikën. Monopolin e Drejtësisë e ka vetëm Populli i Shqipërisë dhe ai do të jetë Gjykatësi më i drejtë shumë shpejt’, shkruan Meta.
Më herët SPAK i kërkoi KQZ formularin e vetëdeklarimit të Kreut të Partisë së Lirisë në kuadër të hetimeve për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri, pas një investigimi të gazetës austriake “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
/rtsh.al/