E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta nga burgu: Pengmarrja ime është gjeopolitike, jo politike

Meta nga burgu: Pengmarrja ime është gjeopolitike, jo politike

Presidenti i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka folur për gjendjen e tij shëndetësore, jetën në burg, politikën shqiptare dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon.

Meta deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë dhe se periudhën e paraburgimit po e përjeton si një kohë reflektimi dhe krijimtarie.

“Shëndeti im kurrë nuk ka qenë më i mirë se këtë periudhë”, tha Meta, duke shtuar se jeton me disiplinë të fortë, ushqim të kontrolluar dhe aktivitet fizik të përditshëm.

Ish-presidenti u shpreh se stresi dhe presioni psikologjik janë “në nivelin zero”, ndërsa këtë periudhë e krahasoi me një “leje krijuese” për një shkrimtar apo me përgatitjen e një sportisti para një gare të rëndësishme.

Ai tregoi se ditët në burg i kalon kryesisht duke lexuar dhe shkruar, ndërsa paralajmëroi publikimin e një libri ku, sipas tij, do të shpjegojë arsyet e “pengmarrjes politike”, të cilën e cilësoi si “gjeopolitike”.

Në intervistë, Meta ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur arrestimin e tij me kundërshtimin që ai pretendon se i ka bërë projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe nismës “Ballkani i Hapur”.

Sipas Metës, projekti për “shkëmbimin e kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë ishte mbështetur nga qarqe ndërkombëtare dhe fondacioni i George Soros, ndërsa ai pretendoi se ka qenë një nga kundërshtarët kryesorë të kësaj ideje.

“Unë jam rrëmbyer si dikur Aldo Moro në Itali dhe mbahem peng vetëm për arsye gjeopolitike”, deklaroi Meta.

Ai akuzoi gjithashtu SPAK se vepron nën ndikim politik, ndërsa pretendoi se nuk ekziston asnjë provë penale ndaj tij.

Në pjesën personale të intervistës, Meta tha se komunikon rregullisht me fëmijët dhe familjarët, por zbuloi se prej majit të vitit 2024 nuk ka më asnjë komunikim me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Ai konfirmoi gjithashtu se nuk ka pasur komunikim telefonik me kreun e Partia Demokratike, Sali Berisha, për shkak të kufizimeve në burg, por shtoi se “kanë mbetur në komunikim”.

Në fund të intervistës, Meta deklaroi se e ardhmja e tij politike “ende nuk ka filluar”, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të reagojnë kundër qeverisë aktuale.

“Kohët më të mira janë përpara nesh”, u shpreh Meta, duke shtuar se qytetarët duhet të “luftojnë për fëmijët dhe të ardhmen e vendit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›