E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kodi i Ri Penal, Rama: Problemi më serioz nuk janë ndryshimet, por ata që e përdorin lirinë për të bërë sherr

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për draftin e ri të Kodit Penal, i cili ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit.

Përmes një deklarate në X, Rama ironizoi ata që kanë shprehur shqetësim për kufizimin e lirisë së shprehjes përmes këtij drafti, duke u shprehur se “të alarmuarit duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell”.

Rama theksoi se Kodi i Ri Penal është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrë sa më transparente opinionet e aktorëve të ndryshëm.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij”, shkruan Rama.

Më tej, ai shtoi se problemi më serioz për lirinë në Shqipëri nuk është drafti i Kodit të Ri Penal, por ata që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr dhe të mos preken nga ligji.

“Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, përfundon Rama.

Pak ditë më parë u prezantua drafti i Kodit të Ri Penal, ku një nga risitë kryesore të draftit është ndarja e qartë e veprave penale në “krime” dhe “kundërvajtje penale”, bazuar në rrezikshmërinë dhe dënimet maksimale të parashikuara. Drafti sjell gjithashtu konceptin e ri të “krimit shumë të rëndë”, i cili përfshin çdo krim me dënim mbi dhjetë vjet burg ose të kryer nga organizata kriminale, pavarësisht masës së dënimit. Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e vuajtjes së dënimit dhe në caktimin e masave shtesë ndaj të dënuarve.

Drafti i ri i Kodit Penal është komentuar edhe nga radhët e politikës dhe organeve ligjzbatuese. Kreu i SPAK, Altin Dumani, vuri në pikëpyetje faktin nëse “nevojitet një Kod i ri apo thjesht duhen bërë ndryshime në disa nene të caktuara”. Edhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha se një “drafti i sjellë në këtë kohë do të thellonte kaosin në hetime dhe procese gjyqësore”.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi se ndryshimet “nuk duhet të shihet thjesht si një listë ndalimesh, por si gramatika morale e shtetit”, ndërsa kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kërkoi një “kod penal të thjeshtë dhe të kuptueshëm nga të gjithë”.

Komentet erdhën nga subjektet politike, ku kreu i PD-së, Sali Berisha tha se me këto ndryshime “lirohen të dënuarit e përjetshëm”, ndërsa LZHK vlerëson se propozimet e bëra janë “masë ndëshkuese për qytetaret dhe lehtësuese për botën e krimit”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›