E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta pas daljes nga SPAK: Llogaritë financiare i ka mbajtur Monika, kam firmosur në mirëbesim

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediet tha sot se me llogaritë dhe çështjet e pronave është marrë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ndërsa ai vetë është marrë me pjesën politike.

Meta foli për gazetarët pa daljes nga SPAK ku u pyet për rreth 3 orë në lidhje me pasurinë.

“Jam thirrur sepse kam denoncuar në SPAK krimet zgjedhore në vitin 2021 dhe SPAK nuk ka lëvizur gishtin. Ishte detyrë e SPAK të ndiqte denoncimin për njerëzit e pushtetit dhe SPAK ia kaloi Prokurorisë së Elbasanit. Ata kapin njerëz të dobët që kanë bërë veprime të paligjshme, për t’i përdorur politikisht kundër udhëheqësve të opozitës. Bënë edhe gjithçka për të rrëmbyer vulën e Partisë së Lirisë përpara konventës së saj historike të 27 prillit, sepse duan një Shqipëri pa opozitë”, tha Meta.

Meta tha se nuk ka pasur kurrë besim te SPAK.

“Unë nuk kam pasur kurrë besim te SPAK. U krijua në mënyrë të paligjshme. Kemi qenë të detyruar të mbështesim SPAK dhe këdo dhe nuk ka arritje të SPAK. SPAK ka vetëm qëmtuar denoncimet që ka bërë opozita”, tha Meta.

“Merren me historitë a ke diskutuar me Monikën për veprimet që ka bërë kjo me llogaritë. Iu thashë që për çështje pronash llogaritë i ka bërë me mirëbesim Monika, unë jam marrë me politikë. Ky është degjenerim nuk është drejtësi”, tha Meta, i cili mohoi se me deklaratat e tij po rëndonte pozitat e Kryemadhit.

“Jo nuk rëndoj asnjë pozitë, për arsye se kjo është e vërtetë dhe besoj se kjo i ka mbajtur të gjitha llogaritë sipas ligjit. Qëndrimi im është shumë i qartë. Përveçse seanca e sotme ishte një turp i vërtetë të pyesësh Ilir Metën, a e njeh Alberto Rançinin. Nga përgjimet del se të ka bërë dhuratë për ditëlindje te Gjiri i Lalëzit. Alberto i Luleve i thashë, shkoni more shikojeni tamam. Si mund t’i thuash Ilir Metës a ke dhënë leje për kompleksin Lura në Gjirin e Lalëzit që i ka dhënë zhvillim gjithë vendit atje. A ka njeri që ka kërkuar leje për të ndërtuar fshatra turistikë dhe nuk ka marrë leje. Shkoje në Gjirin e Lalëzit atë kohë dhe duhet të ikje me kalë se me makina nuk shkon”, tha Meta.

“Kur kam inauguruar kompleksin kam shkuar me helikopter se doje 4 orë të shkoje atje dhe më duhej që të shkoja menjëherë në aeroport pas aktivitetit. Të gjitha këto bëhen me një qëllim për të spostuar vëmendjen nga skandalet e Edi Ramës”, nënvizoi Meta.

I pyetur për ndërhyrjet estetike, Meta tha se “nuk kam kryer asnjë ndërhyrje estetike. Për çdo shërbim shëndetësore që kam patur, ka qenë tërësisht transparent dhe konform rregullave”, tha Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet mbi tre orë sot nga prokurorët e SPAK, mbi një hetim pasuror të nisur ndaj tij dhe familjes së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›