E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta përkrah Kollozit: Vlora do të votojë kundër arrogancës

Më 8 maj, qytetarët e Vlorës do të votojnë kundër arrogancës së politikës së mbrapshtë. Deklarata i përket kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, teksa ka prezantuar në Vlorë kandidatin e maxhorancës për kryetar bashkie të këtij qyteti, Ardian Kollozi. “Qytetarët e Vlorës do të shpërfillin arrogancën që kanë pasur këto vite, ndaj jam i bindur se më 8 maj, anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së do të votojnë për një alternativë të së ardhmes, që të ketë në vëmendje të parë interesat e qytetarëve vlonjatë. Me zgjedhjen e z. Kollozi si kryebashkiak, do të hidhet një hap i rëndësishëm për qeverisjen e këtij qyteti”, tha Meta. Sipas tij, motivi i koalicionit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në të gjitha koalicionet vendore do të mbetet punësimi. “Gjithashtu edhe investimi për kualifikimin profesional, pasi kjo është e domosdoshme për të rinjtë, për t’iu përshtatur tregut të punës”, deklaroi Meta, duke kërkuar votat për Kollozin, si dhe duke ia kaluar më pas fjalën vetë atij. Kollozi, pasi vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e LSI-së në garën e tij elektorale për zgjedhjet e 8 majit, u shpreh se “unë jam tashmë në këtë rrugë të përbashkët me ju, me këtë aksion politik që kërkon t’i kthejë dinjitetin Vlorës së nëpërkëmbur, së cilës i është kompromentuar e ardhmja”. Ai premtoi se, me drejtimin e Bashkisë do të ndërtojë Vlorën e së ardhmes në bazë të një masterplani që në konsultë me komunitetin, me grupet e interesit dhe duke shfrytëzuar biznesin e ekspertizën europiane, të projektojë në mënyrë definitive Vlorën e fëmijëve dhe të së ardhmes. “Në këtë projekt tonin ambicioz dhe i hartuar bashkërisht, ne do t’u japim përgjigje të gjithave problemeve që ka Vlora, të cilat janë të shumta dhe të gjithanshme: pastrimi, gjelbërimi, jeta kulturore dhe artistike. Ne kërkojmë që më 8 maj të na jepet shansi që të fitojmë Bashkinë e Vlorës dhe t’i kthejmë dinjitetin”, tha Kollozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›