E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama merret me veten e tij

Kryeministri Berisha prezantoi dje në Shkodër kandidatin demokrat për këtë bashki, Lorenc Luka.Duke folur për sloganin e fushatës së koalicionit të djathtë, kryeministri Berisha sulmoi Ramën dhe sloganin e së majtës. “Kjo është rruga jonë, rruga e gjithsecilit prej jush, rruga e lirisë. Rrugë në të cilën secili nga ne ka në dorë të bëhet arkitekt i jetës së tij, arkitekt i së ardhmes së tij, familjes së tij, lagjes, komunitetit, qytetit e vendit të tij. Krahas kësaj rruge, sërish bijtë na sjellin rrugën e etërve, rrugën e vetme. Le t’ua lëmë atyre rrugën e vetme. Më duhet t’i them shokut Edvin Rama se vërtet në këtë fushatë nuk do të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda të merrem me ty, absolutisht, se njeriu që merret më shumë me Edvin Ramën është vetë Edvin Rama. Duaj fatin tënd, ne do të fitojmë”, u shpreh Berisha. Në prezantimin e kandidatit Lorenc Luka, kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe e punën e kryebashkiakut Luka në 4 vitet e mandatit që shkoi dhe shprehu mbështetjen për realizimin e projekteve të mëdha për këtë qytet në infrastrukturë, në fushën e arsimit, të artit e kulturës, si dhe në mbështetjet të biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Investimi në të gjithë infrastrukturën rrugore e arsimore të Shkodrës, by pass-i, shumëfishim i investimeve për trashëgiminë e saj kulturore, terrene sportive moderne, rikonstruksioni i stadiumit, teatrit, janë disa nga projektet e rëndësishme për këtë qytet, në katër vitet e ardhshme. “Ne, – u shpreh kryeministri, – i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por së bashku këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri. Investimet tona në kulturë do të shumëfishohen në të gjithë trashëgiminë e saj kulturore, në të gjitha institucionet e saj. Shkodra dhe qytetarët e saj do kenë terrenet sportive më moderne në rajon. Le të përshëndesim me një duartrokitje Hamdi Salihin. Hamdi, golin tjetër e ka Saliu tjetër. Së bashku më 8 maj. E thashë, kur u bë goli, u fikën dritat diku aty, në Tiranë”, u shpreh kryeministri. Sipas kreut të Ekzekutivit, Shkodra në katër vitet e ardhshme do të njohë shumë zhvillime. “Këto 4 vite ne do të investojmë në këtë qytet më shumë se 20 vite të marra së bashku. Këto 4 vite ne do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të Veriut e më gjerë. Këto 4 vite bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja, të mëdha. Këto 4 vite, së bashku do t’u japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore. Shkodra do të ketë by pass-in e saj, do të ketë mbrojtjen e saj njëherë e përgjithmonë”, përfundoi kryeministri.

Shpëtim Saraçi

Kompozitori i njohur shkodran, Shpëtim Saraçi, ishte dje në ceremoninë e prezantimit të kandidatëve të djathtë për zgjedhjet e 8 majit në Shkodër. Saraçi ka vlerësuar punën e bërë nga kryetari aktual i Bashkisë, Lorenc Luka, ndërsa bëri thirrje që të gjithë shkodranët të votojnë Partinë Demokratike. Sipas Saraçit, Shkodra në vitet e fundit ka ndryshuar shumë, falë punës së Lukës, por dhe mbështetjes nga qeveria qendrore, duke e rikthyer atë në një qytet të traditës dhe kulturës. Sipas tij, 8 maji do të jetë një nisje e re për Shkodrën.

Hamdi Salihi

Futbollisti shkodran e Kombëtares, Hamdi Salihi, i cili luan në Austri me Rapidin e Vjenës, mbështeti kandidatin demokrat për Bashkinë e Shkodrës. “I vetmi rast që unë kam preferuar të braktis stërvitjen përkohësisht, ka qenë ky moment që unë të jap mbështetjen time për kryetarin e tanishëm dhe të ardhshëm të Bashkisë Shkodër, zotin Lorenc Luka. Zoti Luka, me punën e tij e ka ndryshuar qytetin tim të dashur, Shkodrën. Kjo është bërë e mundur nga kapiteni i qytetit tim, Lorenc Luka dhe trajneri i ekipit, Sali Berisha”, u shpreh Salihi.

ARISTIR LUMEZI


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›