E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta pret ambasadorin e EBA në Shqipëri Abdelhadi Alkajah

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka pritur në një takim Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, z. Abdelhadi Alkajah, rezident në Athinë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.
Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi për zhvillime të reja në të ardhmen në rrafshin ekonomik dhe kryesisht në fushën e investimeve. Treguesi konkret është dhe hapja së shpejti e Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi.
Ministri Meta shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që pala emiratase ka dhënë lidhur me financimin e projekteve me rëndësi për Shqipërinë, siç është edhe financimi i ndërtimit të Aeroportit të Kukësit.
Po kështu z. Meta falënderoi për angazhimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të financuar një pjesë të rrugës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, duke ndaluar posaçërisht në njohjen që i është bërë nga ky vend shtetit të Kosovës.
Nga ana e tij, Ambasadori Alkajah theksoi se miqësia mes dy popujve do të konsolidohet më tej dhe siguroi për gatishmërinë e qeverisë emiratase për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis dy vendeve si në planin dy palësh dhe atë shumëpalësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›