E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta takim me McAllister: Çelja e negociatave, rëndësi parësore për transformimin demokratik përmes reformave të vërteta

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamenti Evropian, David McAllister, ku bëri thirrje për çeljen sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me një postim në Facebook, ku ka publikuar foto nga takimi, Meta thotë se çelja e negociatave ka rëndësi parësore për të siguruar transformimin demokratik përmes reformave të vërteta dhe të pakthyeshme.

“Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE, për të siguruar transformimin demokratik përmes reformave të vërteta dhe të pakthyeshme”, thotë Meta.

Duke siguruar delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian se shqiptarët vazhdojnë të besojnë te projekti europian, Meta thotë se ka vendi ka nevojë për përmirësim të llogaridhënies në çdo nivel, lirisë së medias, integritetit të zgjedhjeve dhe luftës kundër korrupsionin.

“Kënaqësi të takohesha me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të drejtuar nga kryetari i tij z.David McAllister. I falënderova për rikonfirmimin e mbështetjes ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht në kushtet kur rajoni ynë gjendet nën presionin e pasojave të agresionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës.  I sigurova se shqiptarët vazhdojnë të besojnë tek projekti europian, si alternativën e tyre më të mirë dhe të vetme për një të ardhme të paqtë e të begatë. Vlerësova qasjen realiste që Parlamenti Europian ka ndaj situatës në Shqipëri, duke mbështetur plotësisht shqetësimet serioze të adresuara në rezolutën e 19 majit. Nevojitet përmirësim urgjent i llogaridhënies në çdo nivel, lirisë së medias, integritetit të zgjedhjeve, luftës kundër korrupsionit dhe gjithë problematikave të tjera, që lidhen me bllokun më të rëndësishëm të çështjeve thelbësore.  Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend që aspiron anëtarësimin në BE”, thekson Meta në postimin e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›