E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

5 orë Kupa e Botës në Tiranë! Rama me yllin brazilian: Mbase do vijë dita ta fitojmë dhe ne

Kupa e Botës ka qëndruar e ekspozuar në ambientet e Kryeministrisë për çdo futbolldashës, me qëllim për të frymëzuar tifozët anë e mbanë botës. Kjo kupë vjen në kryeqytet në kuadër të turit që po bëhet në 51 vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe 32 shtetet që janë kualifikuar në Kupën e Botës FIFA. Ka qenë ylli brazilian Gilberto Silva që e ka dorëzuar në Tiranë, teksa i pranishëm ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama si edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi.

Kreu i qeverisë me nota humori dhe batuta u shpreh se dogana shqiptare për herë të parë u përball me zhdoganimin e dy kupave, teksa nuk i kurseu edhe lavdet për kapitenin historik të kombëtares Shqiptare. Ai tha se uron që një ditë Shqipëria të fitojë një Kupë të rëndësishme të kompeticioneve ndërkombëtare.

“Po merremi me kupat e të tjerëve, po mbase vjen dita që një kupë ta fitojmë dhe ne”, tha Rama. 

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj me ministren e Arsimit, Evis Kushi pritën rreth orës 10:00 ekipin e Trofeut të Kupës së Botës në aeroportin e Rinasit. Nga ana tjetër, Veliaj përsëriti thirrjen që e mërkura të jetë dita pa makina për finalen e Conference League pasi do të ketë dyndje të kryeqytetit dhe duhet të gjithë të dalin faqebardhë duke respektuar rregullat.

“E mërkura është ditë pa makina, pushim zyrtar, do lejohet transporti i mallrave, do lejohet transporti publik. Të gjithë ata që mund t’i evitojnë punët, do i kërkoja që të mos udhëtojnë në Tiranë, ta mbajnë trafikun sa më të ulët, të kemi një rrugë ekspres nga këtu në Rinas dhe të pandërprerë deri në Tiranë që sportistët e tifozeritë të shijojnë qytetin. Fan Zona miks është në sheshin Skënderbej. Kolegët e Feyenordit do të jenë tek pedonalja dhe pastaj nisen për stadium nga pedonalja dhe kanë hyrjen në portat veriore. Kolegët e Romës do të kenë Fan Zone tek Amfiteatri i Liqenit. Në të dyja Fan Zone do të ketë ekrane. Shpresoj që në këtë dyndje do të dalim të gjithë faqebardhë nëse respektojmë ditën pa makina, ndarjet e tifozerive dhe me një buzëqeshje duke mbajtur Tiranën pastër”, tha Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›