Meta zyrtarizon largimin nga Berisha dhe afrimin me PS-në

Lëvizja Socialiste për Integrim ka pranuar ftesën e Partisë Socialiste për koalicion dhe në zgjedhjet e 23 qershorit do të renditet në krah të opozitës. Pasditen e sotme, Kryesia e kësaj partie ka diskutuar dhe vendosur ti kthejë përgjigje pozitive ftesës zyrtare që kreu i PS-së, Edi Rama i bëri një ditë më parë. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta tha në një konferencë për shtyp se vendit i duhen ekuilibra të ri, raporton gazeta Shqip.
Ai deklaroi se do të procedohet me tërheqjen e ministrave nga kabineti qeveritar. “Në emër të kryesisë së LSI dua të vlerësoj sot bashkëpunimin me PD dhe kryetarin e saj, kryeministrin Sali Berisha, për bashkëpunimin gjatë katër viteve në koalicionin qeverisës, i cili garantoi jo vetëm stabilitet, por edhe disa reforma të rëndësishme në funksion të zhvillimit dhe integrimit evropian të vendit.
Kryesia e LSI vlerësoi se kjo forcë politike ka përmbushur me përgjegjësi maksimale dhe korrektesë politike, të gjitha pikat e marrëveshjes së nënshkruar katër vjet më parë me PD dhe sot e konsideron këtë marrëveshje të përfunduar.
LSI, duke vlerësuar domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik dhe një ekuilibër të ri pushtetesh, që do forconin stabilitetin afatgjatë në jetën ekonomike, politike e sociale të vendit dhe do përmbushnin më mirë nevojën e domosdoshme të një ritmi të ri të reformave dhe procesit të integrimit evropian, ka vendosur të pranojë ftesën e Kryesisë së PS për koalicion parazgjedhor me të.
Pranimi i kësaj ftese do të thotë angazhim për realizimin e një dimensioni thelbësor mes LSI dhe PS për një fitore të së majtës më 23 qershor si e vetmja rrugë politike që mund të sjellë atë ekuilibër të ri në ndarjen e pushteteve, për të cilin ka nevojë forcimi i stabilitetit dhe përshpejtimi i integrimit evropian”, u shpreh Meta. Ai ka deklaruar se për LSI-në, miratimi i tre ligjeve që do ndihmonte marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë brenda këtij viti është prioriteti më kryesor.
“Për ditët e javët në vazhdim do bëjmë të gjithë përpjekjet që kjo të realizohet brenda mandatit të këtij parlamenti, përndryshe statusi do shtyhej në kalendat greke.
Nga ky moment, jo vetëm do tërhiqemi nga të gjitha funksionet qeverisëse politike, por duke u deklaruar si forcë politike në opozitë do punojmë për realizimin e një marrëveshje parimore me PS, jo vetëm në funksion të fitores së zgjedhjeve, por edhe të forcimit të stabilitetit të vendit dhe garantimit të një dinamike të re të integrimit evropian,” tha Meta./Indeksonline/