“Metamorfoza”- SPAK jep pretencën për 7 të pandehurit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për 7 të pandehurit për dosjen “Metamorfoza”, ku ka kërkuar 15 vite burg për Behar Bajrin, 14 vite burg për biznesmenin Pëllumb Gjoka, 9 vite burg për ish shefin e krimeve Ardrit Hasanbegaj dhe 6 vite burg për ish-kreun e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita.
Të pranishëm në seancën e sotme kanë qenë Edmond Preka, shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe ish shefi i Operacionales, Oltian Bistri.
Kujtojmë se më 26 korrik të këtij viti Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion goditi grupin kriminal, ku të përfshirë rezultuan drejtues të organit të akuzës, Policisë e Shtetit dhe botës së krimit.
Mbi biznesmenin Pëllumb Gjoka, shoferin e tij Edmond Preka, ish-shefin e krimeve Ardrit Hasanbegaj, ish-shefin e Operacionales, Oltian Bistri dhe ish kreun e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita , dhe Astmer Bilalin, rëndojnë akuza të tilla që nisin nga vrasje me paramendim, grupi i strukturuar kriminal, korrupsion, shpërdorimi i detyrës e deri te pastrimi i parave, gjithsej 12 vepra penale.
Hetimet e SPAK ndihmuar nga autoritet ndërkombëtare si Europol dhe Eurojust kanë zbardhur rolet e çdo të akuzuari në ngjarje të rënda kriminale në vend, si vrasja e Gjin Ndojit apo 3 vrasje të mbetura në tentativë si ajo e Kleanthi Musabelliut.
Ish-efektivi i policisë Edmond Preka që prej disa kohësh shërbente si shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka, dyshohet se ka pasur rol aktiv në vrasjen e Gjin Ndojit dhe planit për të vrarë Kleant Musabelliun.
Në vrasjen e Gjin Ndjoit që dyshohet të jetë kryer nga Behar Bajri dhe klani i tij ai ndihmoi autorët të largohen nga vendi I ngjarjes ndërsa ka informuar grupin e Ervis Martinajt me foto dhe informacione mbi lëvizjet e shënjestrës, Musabelliut .
Plani për vrasjen e ish policit fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri.
/rtsh.al/