Meteus këshillon Alabën: Qëndro tek Bayern

Ish-lojtari i kombëtares gjermane në vitet ‘90, Lotar Mateus, foli në lidhje me largimin e David Alaba nga Bajerni i Mynihut. Për analistin gjerman, lojtari duhet të mendohet mirë përpara se të vendosë për të ardhmen e tij. “David luan prej më shumë se një dekade në Mynih, ai ka fituar shumë trofe me Bajernin. Në planin personal është bërë një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij. E kuptoj që ndonjëherë njeriu kërkon të provojë një aventurë të re, këtë e kam bërë edhe unë kur isha lojtar. Por për mendimin tim ai duhet të dëgjojë zemrën dhe të vazhdoj të luajë për kampionët në fuqi”, tha Mateus.
Kujtojmë që para disa javësh, klubi gjerman u tërhoq nga oferta për të rinovuar me austriakun pasi ky i fundit kishte refuzuar disa herë bashkëpunimin me bavarezët. Agjenti i tij, Pini Zahavi kishte kërkuar një rritje page për lojtarin e tij, diçka e papranueshme për Bajernin duke parë edhe problemet financiare që ka sjellë pandemia.
Kontrata e David Alabasë, skadon në fund të qershorit dhe lojtari mund të largohet në Spanjë, aty ku Reali dhe Barça do të ishin më se të kënaqura për ta patur në skuadër. Por Mateus shpreson që kjo mos të ndodhë duke parë historinë që ka Alaba me klubin e Bajernit. “Reali dhe Barça janë dy klube të mëdha, por David të mos harrojë që luan për skuadrën më të mirë në Botë”, sqaroi ish-kapiteni legjendar i Gjermanisë.