E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra turq, në shesh kundër qeverisë

Mijëra turq shekullarë janë mbledhur në Ankara dje, për të protestuar kundër partisë qeverisëse me rrënjë fetare, e cila po përballet në gjykatë me akuzat e një prokurori që ka kërkuar mbylljen e saj për shkak të aktivitetit islamist, që është jashtë Kushtetutës. Demonstruesit kishin dalë me flamujt kombëtarë dhe fotografi të mëdha të Mustafa Qemal Ataturkut, liderit që hodhi themelet e shtetit modern turk. Protesta ishte adresuar si ndaj partisë në pushtet, ashtu edhe ndaj Bashkimit Evropian, i cili sipas demonstruesve futet me pa të drejtë në politikën e jashtme të Turqisë. Gjykata Kushtetuese muajin e kaluar vendosi që të shqyrtojë çështjen kundër Partisë së Kryeministrit Erdogan. Sipas një prokurori, ekzistojnë fakte sipas të cilave partia ka shkelur Kushtetutën dhe si pasojë duhet që të ndalohet të marrë pjesë për 5 vjet në jetën politike të vendit. Ky rast është i fundit në përshkallëzimin e tensionit mes partisë në pushtet që ka rrënjë fetare dhe estabilishmentit shekullar të vendit që përbëhet nga gjykatës, ushtarakë dhe profesorë. Tensioni u shtua menjëherë pas vendimit të qeverisë për të lejuar përdorimin e shamive të kokës nga vajzat në shkollat dhe institucionet e vendit, çka ishte ndaluar më parë. Menjëherë pas këtij vendimi, shekullarët akuzuan qeverinë se po zbatonte një axhendë islamike. Por krahas ngritjes së zërit kundër partisë në pushtet, protestuesit kanë kritikuar me grumbullimin e tyre edhe Bashkimin Evropian dhe politikën e tij mbështetëse ndaj vendimeve të qeverisë. Qeveria po përpiqet që të zbatojë reformat e evropianëve për t‘u bërë pjesë e organizatës më të madhe evropiane, ndërkohë që në vend popullariteti i BE-së ka rënë dukshëm që nga viti 2005, kur nisën edhe bisedimet e stabilizim-asocimit. Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, ishte në Stamboll të shtunën në përfundim të një udhëtimi treditor, gjatë të cilit ai e nxiti Turqinë që të përmbushte standardet e kërkuara për t‘u anëtarësuar sa më shpejt në BE.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›