E Diel, 1 Nëntor 2026

Zapatero emëron qeverinë e re. Më shumë gra se burra

Pas fitores në zgjedhjet e fundit parlamentare, Kryeministri i Spanjës, Hoze Rodriguez Zapatero, ka bërë publike emrat e kabinetit të tij të ri qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme të mandatit. E veçanta e këtij kabineti që përbën një risi absolute, është se në skuadrën e punës dominojnë femrat, pra në të ka më shumë ministre gra, sesa burra. Në pozicionin shumë të rëndësishëm të ministrit të Mbrojtjes, për herë të parë në historinë e Spanjës ka ardhur tashmë një grua. Emri i saj është Carme Chacon dhe ajo konsiderohet si ylli i Partisë Socialiste, me një shtim të jashtëzakonshëm të popullaritetit gjatë kohëve të fundit. Në krahasim me skuadrën e punës së legjislaturës së kaluar, kabineti i ri qeveritar i Zapateros ka 5 emra të rinj, ndërkohë që një pjesë e personave kyçë ende mbeten në pozicionet e mëparshme. Zapatero doli fitues në zgjedhjet e përgjithshme të një muaji më parë, duke mundur rivalët e djathtë të Partisë Popullore. Për sa i përket Kryeministrit, ai deklaroi se ishte shumë krenar që në kabinetin e tij kishte shumë më tepër femra se sa meshkuj. Kështu, në kabinet ka 9 ministre femra dhe 8 meshkuj. Nëse skuadrës do t‘i bashkëngjitet edhe emri i Kryeministrit, atëherë kemi kabinetin e vetëm qeveritar në botë ku meshkujt dhe femrat prezantohen në të njëjtën mënyrë. Vetë Zapatero ka ngulur këmbë që në postet kryesore të qëndrojnë ministrat që kanë qenë edhe në legjislaturën e mëparshme, ndërkohë që janë hapur edhe portofola të rinj, si ai i Ministrisë së Barazisë e Shanseve të Barabarta e kryesuar nga një grua 31-vjeçare. Në konferencën inauguruese të shtypit, Kryeministri tha se ministrja ishte zyrtarja më e re në moshë në këtë pozicion që kishte pasur ndonjëherë Spanja. Ndërkohë, numri dy i qeverisë, si edhe gjatë 4 viteve të kaluara, është Maria Tereza Fernandez de la Vega.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›