Miku i Grossruck do drejtojë vëzhguesit, vlerësoi të rregullta zgjedhjet e 2009-ës: Keni sistemin më transparent
(E PERDITESUAR)- Në krye të misionit të vëzhguesve të ODHIR do të jetë një eksperte amerikane e zgjedhjeve, që shkon në një linjë me shqetësimin e rritur dhe publik të SHBA për procesin e 23 qershorit.
Conny McCormack do të zëvendësojë britaniken Audrey Glover, që ishte në krye të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në vitin 2009.
Ekspertja amerikane, që do të jetë në krye të misionit të ODIHR-it në Shqipëri, njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka kontribut të spikatur veçanërisht në përmirësimin e legjislacionit për çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve.
Ky specializim mesa duket ka qenë dhe përcaktues për dërgimin e misionit të saj në krye të misionit vëzhgues në Shqipëri, ku këto problematika kanë qenë jo thjesht të pranishme, por edhe ndikuese në rezultatin zgjedhor.
Megjithatë, ODIHR është i kontraktuar nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së në një mision të përbashkët monitorimi, çka do të thotë se peshën e raportit përfundimtar për zgjedhjet e ka Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Wolfgang Grossruck.
Ekipi i Asamblesë Parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Ai ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së.
Misioni vëzhgues i zgjedhjeve do të mbërrijë në Tiranë në datën 13 maj. Ajo që mësohet është se amerikania McCormack do të jetë kryesuese e misionit afatgjatë, ndërsa slloveni me origjinë italiane, Battelli, drejtues i misionit afatshkurtër të vëzhguesve jo vetëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është personi që do të paraqesë raportin paraprak të zgjedhjeve në datën 24 qershor.
Battelli, përveçse kryesues i misionit të vëzhguesve, sikundër Grossruck, mban një post tjetër të lartë në Asamblenë Parlamentare të organizatës.
Ndërsa Grossruck është zëvendëspresident i asamblesë, Battelli prej dy mandatesh mban postin e shefit të Thesarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Dyshimet mbi lidhjen mes të dyve shtohen pasi Battelli ka vizituar në vitin 2010 Shqipërinë dhe është deklaruar pro raportit dhe vlerësimeve të Grossruck për zgjedhjet e 2009-ës, duke i konsideruar ato të rregullta.
Battelli, në një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli më 22 shkurt të vitit 2010, deklaronte se rikonfirmonte deklaratën e mbajtur pas zgjedhjeve të vitit 2009 nga koordinatori special i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Wolfgang Grossruck.
Madje në kulmin e krizës politike në atë kohë, Battelli do shprehej para Topallit se mosmarrëveshjet dhe mosbesimi për zgjedhjet nuk e justifikojnë bllokimin e punës në institucionet kushtetuese.
Ndërsa më 5 tetor të vitit 2011, Battelli do takonte kryeministrin Sali Berisha.
Në një njoftim të kryeministrisë thuhej se përfaqësia e OSBE ka vlerësuar se: Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa u përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparente. Në këtë kuadër, sipas zyrës së shtypit, kryetari i delegacionit, Battelli, theksoi se pasaportat dhe kartat e reja të identitetit në vend kishin hequr çdolloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht eficent.
Për vëzhgimin e garës elektorale të 23 qershorit në Shqipëri, OSBE-ODIHR ka vendosur të sjellë një numër relativisht të lartë vëzhguesish afatshkurtër dhe afatgjatë, rreth 430 të tillë.