Myslym Pashaj: Mos më konsideroni humbës dhe betejëprerë
Myslym Pashaj, i njohur ndryshe edhe si zemra e Aleancës Kuqezi, ka postuar në Facebook një mesazh për të gjithë mbështetësit, ku shpjegon se përse nuk ka kandiduar për deputet.
Pashaj flet për një kënetë politike shqiptare, ndërsa thekson se ai kishte beson se Ak ishte një nga arritjet më të mëdha të shekullit të ri.
Me AK më ka lidhur ideali kombëtar dhe jo ndonjë premisë tjetër individuale.
Kam ardhur në AK natyrshëm si një prurje vetjake e shëmbëllimit tim më të qenësishëm, i përbashkuar që në fillesat e Lëvizjes së parë jopolitike.
Jam gjithashtu edhe firmëtar i krijimit të parë të partisë në dokumentin themelues. Ndjehem i lidhur me thelbin dhe rrënjën kombëtariste.
Në udhë e sipër, ndër ngjarje, rrjedhë takimesh e themelimesh, përhapjesh, dhe mbjelljesh aq të shumta nëpër Shqipëri dhe jashta saj, kam takuar aq shumë njerëz dhe kam bërë aq shumë miq sa nuk i kam pasur më parë, duke më dhënë një pasuri të madhe, të jashtëzakonshme.
E kam detyruar veten të besoj se vepra që po krijonim ishte një ndër arritjet më të mëdha në kreun e shekullit të ri.
Ndërkaq realiteti është tjetërsoj. Nuk kam kandiduar për deputet. Ju e dini tashmë.
Asnjë lloj trysnie apo hamendësimi tjetër nuk ka pasur veçse një tërheqje e natyrshme dhe e vetëdijshme si pjesë e papajtueshmërisë dhe e kundërshtisë sime idealiste ndaj kënetës dhe ligatinës politike shqiptare, e cila e shpërfaqi vetveten tragjikomike me parlamentarët e ardhshëm, të cilët qysh dje, notojnë dhe do të notojnë në këtë kënetë mbytëse.
Mos më konsideroni humbës apo betejëprerë, shkruan Pashaj në FB./ep