E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku nga Azerbajxhani

Nga Ervin Qafmolla

Shumë i gëzuar ishte Kryeministri shqiptar për takimin me Presidentit Ilham Alijev nga Azerbajxhani. Aq i gëzuar sa nuk i kurseu komplimentet për homologun e tij. Mandej ai tha se Azerbajxhani është një ndër vendet me zhvillimet më të shpejta si dhe vend, me të cilin, kemi lidhje tradicionale, të cilat duhet ti zhvillojmë më tej. Entuziazmi arriti kulmin kur Berisha e quajti miku im Alijev, dhe deklaroi se ftesës për të vizituar Shqipërinë, ai i ishte përgjigjur pozitivisht.

Ihram Alijev është një kafshë. Një nga despotët më të egër të pellgut të ish republikave sovjetike, i cili në gjurmët e të atit, ka qeverisur vendin me grusht të hekurt, duke shkelur çdo parim apo standard demokratik e njerëzor. Nëse dikush kish shprehur në të shkuarën shqetësimin se miqtë e Doktorit përfshinin personazhe si Fazlliç, apo Berluskoni, ky i fundit i ka tejkaluar edhe këto vërejtje, duke u miqësuar së fundmi me tipa si despoti azer.

Sa i përket lidhjeve tradicionale mes dy vendeve, mund të theksohet se Hajdari, babai i Ilhamit, nga ish-lider komunist u vetëvendos në krye të qeverisë demokratike azere pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe kapitullimit të komunizmit në Europën Juglindore, dhe e mbajti pushtetin përmes një kontrolli të ashpër vertikal mbi qeverinë, institucionet, opozitën dhe krejt popullsinë e vendit.

Ilhami më pas u bë president në vitin 2003, pas zgjedhjeve të kontestuara nga opozita dhe të dënuara gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Kur ky farë njeriu mori presidencën, e përjavshmja italiane Panorama, botoi një artikull të titulluar Satrapët e Lindjes, ku mes të tjerave përdori termin republikë presidenciale e trashëgueshme.

Azerbajxhani në fakt, është pjesë e Këshillit të Europës, pavarësisht bëmave makabre të qeverisë së tij. Kjo nuk përbën ndonjë ccudi, nëse merret parasysh se hiena si Gadafi, vazhdonin të gëzonin mbështetjen e miqve të tyre në Europë e Perëndim, edhe kur populli ish ngritur në revolucion. Madje nuk munguan as rastet, kur Europa lëshoi deklarata që i konsideronin revulucionarët libianë si militantë të Al-Kaedës. Të njëjtët e hëngrën mbrapsht ccfarë pështynë, kur më vonë iu desh të lëshonin deklarata përkrahëse për luftëtarët e demokracisë. Lista e të përkrahurve nga Perëndimi demokratik nuk kufizohet vetëm te Princi i Afrikës, por përfshin torturuesin Saleh të Jemenit, kriminelin Al Asad të Sirisë, katilin Ben Ali dhe faraonin Mubarak. Ndaj nuk është ccudi që edhe kafshë si Alijev gëzojnë një farë mbështetjeje. Derisa tu vijë dita…

Në fakt, specialiteti i mikut të Berishës ka të bëjë me trajtimin që ai u rezervon zërave kundër. Burgosja për gazetarët është instrumenti i preferuar i Mikut nga Azerbajxhani. Në Azerbajxhan, gazetarët burgosen rëndom, madje, dërgohen edhe në çmendinë për arsyen e vetme se kanë raportuar kundër qeverisë. Ndërsa protestuesit rëndom, torturohen.

Dikur, qeveria Berisha u rezervonte dajak, gazetarëve me gjuhën e gjatë. Sot, Kryeministri shqiptar i ka përpunuar fushatat e tij ndëshkimore kundër medias dhe shoqërisë civile, në mësymje tatimore, gjoba të pajustifikuara dhe mbyllje mediesh. Ndaj, nuk ka dyshim se Miku nga Azerbajxhani është shumë më i përparuar në këtë drejtim. Ndoshta ai do të jetë në gjendje ti japë homologut shqiptar, disa këshilla të vyera për trajtimin e kundërshtarëve publikë, si në rastin e arrestimit të pesë aktivistëve që kishin hedhur në një blog idenë e organizimit të një proteste. Apo, si në rastin e aktivistëve Adnan Haji-zadeh dhe Emin Milli, të cilët i kam njohur personalisht pak vjet më parë, dhe që dënuan me nga katër vjet burg vetëm sepse kishin bërë një spot ironik në Youtube me një gomar që lavdëronte qeverinë e vendit.

Raste të tilla ka me bollëk në Azerbajxhan, por një tjetër që vlen të veçohet është ai i gazetarit në moshë të thyer Novruzali Mamedov, i cili vdiq në burg teksa vuante një dënim prej 10 vjetësh nën akuzën e tradhtisë, nxitjes së urrejtjes dhe posedimit të një sasie heroine. Në fakt, gazetari kishte raportuar për një masakër të kryer nga qeveria azere në vitin 1992, dhe bashkë me burgosjen e tij, u mbyll edhe gazeta ku ai punonte.

Por, gjatë kësaj kohe, qeveria shqiptare ka bërë përparimet e saj në trajtimin e përshtatshëm të kundërshtarëve, si pushkatimet e 21 janarit në bulevardin kryesor të Tiranës përvojë nga e cila mund të përfitojë edhe Presidenti azer. Nga ana tjetër, Ilhami mund të përditësojë Kryeministrin shqiptar me teknikat e burgosjes dhe mbylljes në çmendinë të gazetarëve që nuk u përmbahen vijës së partisë, përmes akuzave për mbajtje heroine, evazion fiskal, tradhti kombëtare, prishje të qetësisë publike, e të tjera si këto.

Të përbashkëtat e Shqipërisë me Azerbajxhanin nuk kufizohen vetëm te mënyrat e trajtimit të kundërshtarëve të qeverive përkatëse. Korrupsioni i lartë është një tjetër pikë që i vëllazëron dy vendet. Azerbajxhani është një ndër vendet më të korruptuara në botë, i cilësuar i tillë, thuajse njëzëri nga një sërë institucionesh ndërkombëtare. Por edhe Shqipëria nuk mbetet pas në këtë drejtim, duke shënuar çdo vit, radhitje të denja në indekset ndërkombëtare të korrupsionit. Ndërkaq qeveria shqiptare mes bëmave të qeverisjes së saj i largohet dita ditës integrimit europian, ndoshta dhe me dashje, duke qenë se përveç të tjerave, Europa nuk i ka shumë për zemër pushkatimet nëpër sheshe, apo shpërthimet që fshijnë fshatra nga harta administrative e një vendi. Ndaj ambicia e re e kësaj qeverie mund të bëhet ajo e integrimit të Shqipërisë në Azinë Qendrore, në radhët e persekutorëve, torturuesve, linçuesve e vrasësve.

Dhe vërtet shpresoj që Ilham Alijevi po ndonjë tjetër plehrë me të cilin kemi lidhur kërthizë, ta vizitojë një ditë Shqipërinë. Zotohem se vizita nuk do u shkojë pa surpriza!

***

Rrëfenja afrikane

Ndër raste të tjera përfaqësuese të kortezisë së zyrtarëve shqiptarë me satrapë e katilë, ishte ai kur Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë vizitoi një tjetër plehrë të Lindjes, që në atë kohë gëzonte mbështetjen e ca plehrave në Perëndim: Mubarakun e Egjiptit. Thonë që me këtë rast, Znj. Topalli mbuloi kokën për tiu përshtatur zakoneve të vendit. Ndërsa kjo vizitë është e vërtetë, ekziston edhe ndonjë gojëdhënë. Më e bukura është ajo me ca politikanë tanët që shkuan të takonin Kolonel Gadafin në shkretëtirë, në çadrën rrethuar me gra burrnesha të Afrikës të armatosura deri në dhëmbë. Atje nën hijen e çadrës dhe të tytave të armëve, ata i kërkuan fonde katilit libian, i cili tek shullëhej mbi jastëkë me pamjen tradicionale të pornostarit në pension, vërtiste një vrasëse mizash: Eh çfarë burri ka qenë Enver Hoxha. Bam! Dhe një mizë këputej e ekzekutuar…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›