Milan-Juventus tërheq vëmendjen, supersfida e Serie A “ndez” fundjavën, spikat edhe Napoli-Roma

Me përfundimin e ndeshjeve të ligës së kombeve, vëmendja e gjitha do të kthehet tek kampionatet, aq më tepër që fundjave në Tring është më e zjarrtë se kurrë.
E gjitha për meritë të serie A e cila sjell një nga klasiket e futbollit Italian, Milan vs Juventus.
Dy skuadra të cilat kanë bërë historinë e futbollit Italian dhe jo vetëm, të cilat janë në kërkim të ditëve të veta më të mira, ndikuar edhe nga ndryshimet e rëndësishme muajt e fundit, përfshirë trajnerët e rinj dhe shumë hyrje dhe dalje në organikë.
Supersfida luhet të shtunën në orën 18:00 në San Siro, stadium i cili është tashmë i gjithi i ezauruar për përballjen më të rëndësishme të javës së 13 të kampionatit.
Kuqezinjtë kanë mbetur pas në renditje me 18 pikë, 8 më pak sesa vendi i parë, edhe pse skuadra e Fonsekës ka një ndeshje të prapambetur kundër Bolonjës.
Megjithatë vendi i shtatë është shumë larg pritshmërive të tifozëve ndaj ndeshja kundër Juventusit bëhet shumëfish e rëndësishme.
Trajneri portugez mund ta përballojë Juventusin me të njëjtën skemë dhe emra të cilët i dhanë triumfin në Madrid kundër Realit.
Pulisic dhe Leao do të mbështesin Moratën, ndërsa Musah dhe Loftus Cik kanë balotazhin e vetëm për emrin që do të jetë në krah të dyshes Rejnders dhe Fofana.
Në krahun tjetër Juventus që është vetë 2 pikë larg kreut, ka shqetësim të madh sulmin, pasi Dushan Vlahovic u dëmtua me Serbinë dhe do të mungojë në San Siro.
Në mungesë edhe të Milik, Tiago Motësi duhet të përshtasë një lojtar krahu në majë të sulmit dhe gjasat janë që këtë pozicion ta mbajë Timoti Ueah, ndërsa nga krahët Konseisao dhe Kenan Illdiz.
Sa i takon ndeshjeve të tjera të javës së 13 spikasin edhe Napoli-Roma, Verona-Inter dhe Lacio Bolonja./vizionplus.tv