Milan-Real, barazim e spektakël Zhgënjen Bajern, e mundi Bordo
Kaka mikëpritet me duartrokitje në "San Siro", vendin që e deshi dhe e bëri të njohur. Fillim emocionues i ndeshjes për Milanin, ku duartrokitjet e tifozerisë kuqezi e meritonin lojën e skuadrës së tyre kundër galaktikëve. Por Reali arrin të reagojë, duke iu afruar zonës së kundërshtarit, duke u munduar të depërtojë falë aftësive të Kakasë apo gjuajtjet e Benzema dhe Higuain. Dominoi për 30 minuta, duke bërë presion qendror dhe duke demonstruar një superioritet fizik. Milani luajti disi më i tërhequr, duke i lënë më shumë hapësirë kundërshtarit dhe hera-herës duke ndërmarrë aventura të rrezikshme me Paton në drejtim të portës së Realit. Vendasit, edhe pse të mbërthyer në zonë për shumë minuta nga sulmi i spanjollëve, gjejnë forcat në një kundërsulm dhe krijojnë rastin e parë për të shënuar: Sedorf pason te Pato, i cili pasi shmang një mbrojtës, kërkon golin, por portieri Kasijas e bllokon gjuajtjen nga një distancë e afërt. Por vetëm pak minuta më vonë, në të 29-ën Reali kundërpërgjigjet me gol: Dida grushton gjuajtjen e devijuar të Kakasë, por topi shkon te Benzema, i cili shënon një pozicion të prirët, duke i dhuruar madrilenëve golin e avantazhit. Gjashtë minuta më pas vjen në pah krenaria e Milanit. Fiton një 11-metërsh, pas një prekjeje të topit me dorë nga ana e mbrojtësit Pepe. Ronaldinjo e kthen atë në gol dhe shpërthen "San Siro". Më pas Pato shënon një tjetër gol, por që anulohet nga gjyqtari... kushedi se përse. Në pjesën e dytë duket Milani më agresiv, duke zmbrapsur Realin dhe duke provokuar me Didën e Borielon. Një Ronaldinjo si i kohëve të dikurshme kombinon me finte me Sedorfin dhe japin spektakël. Në fushë zbresin edhe veteranët: në fillim Raul për Realin dhe më pas Inzagi për Milanin. Italianët janë më të rrezikshëm dhe krijojnë dy raste të mira për shënim me Paton dhe Inzagin. Por në krahun tjetër kundërpërgjigjet Raul me një gjuajtje të bukur, ku Dida bën mrekullinë për të shpëtuar Milanin nga shpëtimi i golit. Në fushë nuk ka më kohë, kështu që fërshëllima triherëshe e gjyqtarit e mbyll në paqe këtë përballje gjigantësh. Milani luajti një ndeshje të pëlqyeshme, duke rifituar zemrat e tifozëve në "San Siro, të cilët e duartrokitën gjatë në përfundim. Ndërsa Reali konfirmon edhe një herë se pa Kristiano Ronaldon e ka të vështirë të kënaqë egon drejt fitores. Një ndeshje dramatike është zhvilluar mbrëmë në "Old Trafford". Mançester Junajtit është shokuar, kur pas 47 minutash lojë e ka parë vetën në dizavantazh 1-3 ndaj CSKA të Moskës. Por Shkols e Valencia bëjnë mrekullinë për ta ruajtur nga turpi i një humbjeje, kur shënojnë dy golat e fundit të barazimit 3-3. Vetëm barazim edhe një tjetër angleze, Çelsi, që nuk shkon më tej se një 2-2 ndaj Atletikos së Madridit në Spanjë (Dopjeta për Aguero e Drogba). Zhgënjen Bajerni i Munihut. Mundet 0-2 në shtëpi nga Bordo. Juventusi fiton 0-1 në Izrael ndaj Makabit. Ndërsa Marseja merr fitoren më të thellë 6-1 në "Velodrome" ndaj Zyrihut.