Milan zyrtarisht në trofeun “Taci Oil Albania Reads"
Milani zyrtarizoi në faqen e klubit pjesëmarrjen në turneun “Taci Oil Albania Reads”. “Milani do të marrë pjesë zyrtarisht në trofeun e parë ‘Taci-Oil Albania Reads’, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, më 14 tetor ora 19 lokale”, - shkruhet në komunikatën e publikuar. “Ndeshja miqësore midis skuadrës së parë kuqezi e KF ‘Tirana’ ka qëllimin për të mbledhur fonde për projektin ‘Albania Reads’ (Shqipëria lexon) e mbështetur nga UNICEF dhe parashikon ndërtimin e librarive moderne në të gjithë vendin, me objektivin për të përhapur midis të rinjve shqiptarë kulturën përmes leximit”, - përfundon lajmi i publikuar në acmilan.com, e që ka bërë jehonë në të gjitha mediat e shkruara e elektronike jo vetëm italiane. Në Shqipëri do të vijnë Kaka, Shevçenko, kapiteni legjendar Paolo Maldini, talenti brazilian Pato, e dy figura karizmatike kuqezi si Masimo Ambrozini e Klarens Sedorf, i vetmi lojtar që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve me tri klube të ndryshme. Lista zyrtare me të gjithë emrat e kuqezinjve që do të luajnë në Tiranë do të bëhet publike, më 6 tetor. Ekipi i Milanit do të shoqërohet nga një grup gazetarësh të njohur të medias sportive italiane. Ndeshja do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, më 14 tetor ora 19:00. Kjo ditë është e parashikuar me shumë aktivitete me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit Adrian Galiani, trajnerit Ançeloti, kapitenit të skuadrës Maldini dhe futbollistëve të njohur të Milanit. Takimi do të transmetohet direkt në “Milan Channel” dhe “Mediaset Premium”.
UEFA kërkon gjyqtarë më të rreptë
Gjykime më të rrepta për të mbrojtur lojtarët. Kjo është ajo që ka kërkuar UEFA për të shpëtuar edhe imazhin e futbollit. Gjyqtarët duhet të jenë të ashpër, në veçanti përballë të përdorimit të bërrylave dhe simulove në zonë. Në lidhje me pozicionet jashtëloje asistentët duhet të sinjalizojnë vetëm atëherë kur janë absolutisht të sigurt. Në rast dyshimi flamur nuk duhet të jetë i ngritur. Pak ditë më parë presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, pranoi gabimet e shumta në gjykim dhe mendon për dy gjyqtarë më shumë, në afërsi të zonës së rreptësisë. “Shumë gabime, është e nevojshme të reduktohen, - tha ai. “Në futboll humbjet kanë dëme financiare të rënda për klubet, por është edhe një problem që nxit protesta të dhunshme. Duhen dy arbitra më shumë, të vendosur në 18 metrat e para për të parë më nga afër faullet në zonë e në afërsi të saj”. Platini nuk është i mendimit se moviola duhet aplikuar gjatë lojës në fushë, duke hedhur përfundimisht futjen e teknologjisë.
Kriza financiare rrezikon “Londër 2012”
Kriza financiare botërore rrezikon të vendosë në rrezik fondet e destinuara për Lojërat Olimpike të Londrës, në program për vitin 2012. Lajmin e jep tabloidi britanik “Daily Telegraf”, duke bërë të ditur se Xhon Armit, presidenti i Komitetit Olimpik anglez i pohoi Kongresit të Punës në Mançester vështirësitë e bankave për të dhënë fondet e nevojshme për vazhdimin e punimeve. Kostoja për ndërtimin e fshatit olimpik llogaritet në 1.2 miliardë euro.
Lala, edhe në juri për fëmijët
Altin Lala nuk është vetëm një futbollist aktiv me Hanover 96, por kapiteni i Shqipërisë merr pjesë edhe në aktivitete jashtë botës futbollistike. Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, “xhuxhi” ka qenë pjesë e një jurie për vlerësimin e 50 projekteve që kishin të bënin me zhvillimin e integrimin e fëmijëve. Bashkë me Lalën ishin edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Integrimit, Maria Bohmer, producenti muzikor Mouse T., ish-prefekti i Osnabykut, Hans-Jurgen Fip, biznesmeni e ortaku i Lalës, Dirk Rosman dhe kryetari i projekteve të Landit të Saksonisë së Poshtëme, Sigrid Majer. Dirk Rosman, një nga biznesmenët më të njohur gjermanë, ka në plan edhe në bashkëpunim me futbollistin Altin Lala të pushtojë tregun shqiptar farmacuetik.
25 Shtator 2008