Milani rigjen Pulisic dhe Leao para derbit, të dy në fushë pas gati 100 ditësh

Milani pritet të rigjejë Rafael Leaon dhe Cristian Pulisic në derbin e së dielës kundër Interit. Do të ndodhë pas gati 100 ditësh nga hera e fundit që dy sulmuesit ishin në fushë bashkë, në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Barit në muajin gusht.
Në atë ndeshje Leao u dëmtua dhe humbi disa nga javët e para të kampionatit. Tani, pas rikuperimit të Pulisic, trajneri Allegri është gati t’i hedhë të dy në fushë nga minuta e parë në derbin e së dielës.
Leao e Pulisic do të jenë në krah të njëri-tjetrit në skemën 3-5-2 të Allegri-t. Një lajm i rëndësishëm ky në kampin milanist, duke parë rendimentin e dobët të sulmuesve të tjerë. Gimenez dhe Nkunku nuk kanë bindur, ndaj dhe rikthimi i tyre shihet si një plus i madh për Milanin para derbit. Leao deri tani ka shënuar 5 gola, kurse Pulisic 6 gola. Të dy bashkë kanë shënuar 50% të golave kuqezi, 11 nga 22.
Për të dy lojtarët do të jetë një shans për të përmirësuar statistikat e tyre në derbi. Leao ka mbetur në kuotën e 3 golave në 20 ndeshje derbi, kurse Pulisic ka shënuar vetëm 2 gola në 7 ndeshje, por të dy vendimtarë.
Sezonin e kaluar amerikani zhbllokoi derbin në fazën e parë të kampionatit, që u fitua 2-1 nga Milani. Po ashtu, ai shënoi golin e barazimit në finalen e Superkupës së Italisë, që u fitua 3-2 nga Milani. Numra që e bëjnë trajnerin Allegri të buzëqeshë dhe tifozët kuqezinj të ëndërrojnë.