Milani, vazhdon gjurmimin në Kosovë
Klubi më i trofeshëm në botë, AC Milan do të vazhdojë të gjurmojë në Kosovë për zbulimin e talenteve të rinj. Gjiganti italian, për të dytin vit rresht, ka zbarkuar në Kosovë me projektin ‘Milan Junior Camp’.
Me këtë projekt, vitin e kaluar ‘Rossonerët’ i zbuluan pesë talentë në Prishtinë, kurse pesë të tjerë do t’i kërkojnë prej të hënës, e deri të premten në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku do të mbahet edicioni i dytë i ‘Milan Junior Camp’.
Pra, këtij projekti të hënën në Mitrovicë do t’i bashkohen rreth 200 të rinj kosovarë të moshave nga 8 deri 14 vjeç, me ëndrrën e tyre që një ditë ta veshin fanellën kuqezi.
Ata do të mund t’i mësojnë sekretet e futbollit italian drejtpërdrejt përmes mësimit nga gjashtë trajnerë të Milanit, i cili me këtë projekt shtrihet edhe në 40 vende të tjera botërore. Kurse, zbarkimin e tij në Kosovë e ka mundësuar Grupi ‘Taçi Oil’, i cili sivjet mbështetet edhe nga Ministria e Sportit.
“Gëzohemi jashtëzakonisht shumë që sërish kemi ardhur në Kosovë me projektin tonë. Për këtë falënderojmë Grupin ‘Taçi Oil’ dhe Ministrinë e Sportit që na krijuan kushte. Është kënaqësi për ne, për Milanin, të punojmë me të rinjtë e një vendi, prej të cilit kanë dalë futbollistë që sot luajnë për shumë shtete, siç është Zvicra që i ka pesë futbollistë shqiptarë”, deklaroi të dielën në konferencë për shtyp, Marco Schembri, menaxher i përgjithshëm i shoqërisë që administron ‘Milan Junior Camp’ në Evropën Lindore.
Ndërkohë, presidenti i gjigantit të naftës ‘Taçi Oil’, Rezart Taçi nuk ishte i pranishëm në konferencë, por në vend të tij në konferencë u paraqit Anika Taçi, zëvendëspresidente e këtij grupi.
“Entuziazmi i 150 fëmijëve në edicionin e kaluar na ka shtyrë që sivjet t’i grumbullojmë 200 fëmijë. Klasifikimi i tyre është bërë kështu: 200 fëmijët e parë që janë regjistruar, ata janë përfshirë në kamp, me qëllim të shmangies së diskriminimit. Unë ju uroj sukses atyre fëmijëve, derisa këto ditë do të jenë emocionuese edhe për prindërit e tyre dhe gjithë ne”, tha ajo.
Gjigantit italian, mirëseardhje në Kosovë i shprehu sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Sportit, Veton Firzi.
Ceremonia e hapjes zyrtare të ‘Milan Junior Camp’ do të nisë të hënën në stadiumin ‘Adem Jashari’ prej orës 10:00.
Ndërsa, pesë më të mirët do të kenë mundësi të shkojnë në ‘San Siro’, ku do t’u bashkohen talenteve të tjerë nga mbarë bota. Bashkë me këta pesë talentë, drejt Italisë do të udhëtojnë edhe pesë të rinjtë më të dalluar të edicionit të kaluar, kur ‘Milan Junior Camp’ kishte zbarkuar në Prishtinë.