Milanin do ta sjellim në Kosovë

Grupi ‘Taçi Oil’, sponsor i rëndësishëm i AC Milanit, ende nuk e ka përmbushur premtimin që pronari i saj, Rezart Taçi ua ka dhënë kosovarëve në dhjetor të vitit të kaluar, se në një të ardhme të afërt do ta sjellë në vendin tonë gjigantin italian për ta zhvilluar një ndeshje miqësore.
Rezart Taçi pati premtuar se do të bëjë çmos që trofeun e radhës dhe tashmë tradicional ‘Taçi Oil’ ta organizojë në Prishtinë, e jo në Tiranë, siç e organizonte viteve të kaluara, kur në kryeqytetin shqiptar kishte zbarkuar dy herë Milani, e një herë Real Madridi.
Por, zëvendëspresidentja e këtij grupi, Anika Taçi ka thënë se Rezart Taçi nuk ka hequr dorë nga dëshira e tij për ta sjellë Milanin në Kosovë.
“Nuk e kemi harruar asnjëherë premtimin dhe e kemi parasysh sjelljen e Milanit në Kosovë. Por, deri më tani i kemi pasur disa projekte që nuk lidheshin me sjelljen e Milanit në Kosovë. Andaj, ai projekt, për sjelljen e Milanit ende ekziston dhe besojmë se do ta përmbushim shpejt premtimin”, u shpreh ajo.