Miliona shqiptarë festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë
Qytetet më të mëdha të botës kanë pasur dje në sheshet e tyre nga pak shqiptari, me emigrantët që çuan atje jehonën e lajmit “Shqipëria u bë 100 vjeç”. Por zemra e festimeve mbeti Tirana, e cila dje e dyfishoi popullsinë e vet. Afro një milionë mysafirë vlerësohet se kremtuan dje me tiranasit shekullin e pavarësisë. Monumenti i Pavarësisë, parada e Ushtrisë, torta gjigande e rekordit “Guiness” dhe koncertet “Rrugëtimi i Kombit” dhe performanca e Rita Orës ishin kartolina më e mirë e një kombi që festoi me krenari 100 vjetorin e pavarësisë
Refreni i kremtimit: Tash nis dekada e bashkimit
Improvizimi i udhëtimeve të 100 viteve më parë të Ismail Qemalit e Isa Boletinit nga shqiptarë të trojeve etnike, nga deti e toka, me këmbë apo kuaj, ishin vetëm sipari i festës së jubileut shekullor të Pavarësisë që kulmoi dje. Sheshi “Flamurit” në Vlorë, apo edhe ai “Skënderbej” në Tiranë dukeshin shumë të vegjël për të përballuar rreth një milion shqiptarëve të ardhur nga trojet etnike shqiptare e nga vende të tjera, pa llogaritur këtu miliona shqiptarë të tjerë “mikpritës” të festës së 100 vjetorit të Pavarësisë.
Ato që ndodhën në Vlorë e Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë, tejkaluan çdo parashikim.
Në historinë një shekullore të shtetit shqiptar nuk kishte ndodhur ndonjë herë një mega-festë e tillë. Dhe ata që i dhanë madhështinë kësaj dite të madhe, veç ngjyrave kombëtare kuq e zi, ishin vetë shqiptarët, mbartësit e këtyre ngjyrave.
Burime të Policisë së Shtetit bënin të ditur se nuk kishte të ndalur as dje, të paktën deri në orët e para të ditës, fluksi i njerëzve që nëpërmjet kufirit me Shqipërinë, hynin nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Mali i Zi. Qëllimi i vetëm i këtij fluksi shqiptarësh nga trojet etnike, që pasonte fluksin e ditëve pararendës, ishte jo thjesht të ishin pjesëmarrës në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, por të ishin dëshmitarë të ditës më të rëndësishme të kombit shqiptar, të ditëlindjes së 100 të tij.
Ishte ngritja ceremoniale e flamurit kombëtar, rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, pranë monumentit “Pavarësia” në Sheshin e “Flamurit” në Vlorë, e cila shënoi ngritjen e siparit, nisjen zyrtare të ceremonisë së kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pas këtij momenti, jo vetëm në Vlorë e në Tiranë, por kudo, gjithë shqiptarët ishin protagonistët dhe dëshmitarët e ditëlindjes së 100 të shtetit të tyre mëmë. Sigurisht për ta bërë sa më mirë rolin e protagonistit dhe dëshmitarit historik të një dite historike, gjithkush, duke u bërë pjesë e grupeve festive, diku kërcente e këndonte me kalorësit nga Kosova, diku me grupet folklorike të Shqipërisë, diku mbushte sheshin për të ndjekur ndonjë koncert festiv, e diku ndiqte aktivitetet e ceremonitë e shumta shtetërore.
E përbashkëta e cila nuk ngelej pa rënë në sy, në gjithë këto festime, ishin veshjet dhe simbolet e shumta kombëtare që përbënin dekorin e festës. Por, për më tepër, e përbashkëta mbizotëruese në mega-festën e djeshme ishte gëzimi e ngazëllimi i cili dukshëm nuk fshihej prej askujt.
Sot, kur Shqipëria ka hyrë jo thjesht ën ditëlindjen e 101, por në shekullin e ri të Pavarësisë së saj, fluksi i njerëzve do të ketë kah të kundërt nga të këtyre ditëve të fundit. Por festa e djeshme do të mbahet mend gjatë për një fakt shumë të thjeshtë…, se pas 100 vjetëve, miliona shqiptarë, për herë të parë u bënë bashkë, “rrëzuan” kufijtë dhe u bënë pjesë e festës së tyre më të rëndësishme të përbashkët.
Pas ditës së djeshme, sigurisht, jo vetëm dita e sotme do të jetë më e mirë (se e djeshmja), por edhe ky shekull i ri i Pavarësisë i cili starton sot, do të jetë shumë më i mirë se ai që sapo mbyllëm dje. Kjo mjafton, jo vetëm dhe thjesht për të përligjur gëzimin e ngazëllimin e miliona shqiptarëve dje, por edhe për të shpresuar e parë me optimizëm faktin që ky shekull i ri i Pavarësisë i cili hyn me kufij “të rrëzuar”, do të ketë shumë e më shumë ditë të bukura, të lumtura, pse jo edhe festive për kombin shqiptarë…