Berisha: 28 nëntori, festa e shekullit – çoi në vend të vërtetat historike

Në një konferencë për shtyp kryeministri Berisha gjeti rastin të përshëndesë dhe falënderojë të gjitha personalitetet botërore që morën pjesë dje në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Ishin 57 përfaqësues nga 57 vende mike tha kryeministri dhe 12 përfaqësues të organizatave më të fuqishme botërore. “Tani pas përfundimit të festimeve të 28 Nëntorit mirënjohjet më të përzemërta të miat dhe qeverisë sime shkojnë për të gjithë atë, të cilët bënë të mundur që Tirana, Vlora, Shqipëria të përjetojë ditën më festive të shekullit, festën më të bukur në tërë ekzistencën e tyre. Falënderimi dhe mirënjohja më e parë është për miqtë dhe të ftuarit që na nderuan aq shumë me delegacionet që dërguan. 57 vende mike u përfaqësuan në rang të deleguarish direkt nga kryeqytetet e tyre, po kështu 12 organizata nga më të fuqishmet ndërkombëtare dërguan të deleguarit e tyre për të festuar këtu me popullin shqiptar. Me këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjitha ato vende mike, që dërguan përfaqësuesit e tyre për të festuar më 28 nëntor 100 vjetorin e Pavarësisë me shqiptarët. Falenderoj edhe vendet që u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre”- kryeministri Berisha.