Milloshi, kandidati i tretë për Tiranën, PS kundër regjistrimit
Edi Rama nuk do jetë i vetmi kandidat nga e majta, që do të konkurrojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e 8 majit. Krahas tij, nga spektri i majtë, votat e qytetarëve kryeqytetas do t’i kërkojë edhe kryetari i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ia refuzoi një herë kërkesën para disa ditëve, ka pranuar dje që ta regjistrojë Hysni Milloshin si kandidat për kryetar të bashkisë më të madhe në vend. Ndërkohë që mbledhja e djeshme e KQZ-së është shoqëruar me debate të forta, edhe për një sërë çështjesh të tjera, ku natyrisht mungesa e anëtarëve të majtë është trajtuar gjerësisht nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët i kanë konsideruar edhe si të papërgjegjshëm.
Milloshi
Socialistëve do t’u kushtojë sado pak prishja e marrëveshjes së bashkëpunimit parazgjedhor me komunistët. Kjo pasi këta të fundit, në shenjë edhe “hakmarrje” ndaj socialistëve, që si pranuan në koalicionin e tyre, kanë vendosur që të kandidojnë me kryetarin e tyre për postin e kryetarit të bashkisë. Megjithëse mbështetja që gëzojnë komunistët në Tiranë është modeste (në zgjedhjet e fundit lokale të 2007, kandidati i PKSH ka marrë 1267 vota), në realitetin e sotëm politik dhe mbështetjen që gëzojnë kandidatët kryesorë në këtë garë, dëmi që mund të shkaktojnë nuk është i pakonsiderueshëm. KQZ ka rimarrë dje në shqyrtim kërkesën e PKSH-së për të regjistruar Hysni Milloshin, si kandidat për kryetar bashkie. Drejtoresha juridike, Dëshira Pasko, duke relatuar lidhur me këtë kërkesë, ka sqaruar se ajo ishte plotësuar në rregull dhe se plotësonte kushtet ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor për partitë jo parlamentare. Kështu, me anë të një vërtetimi të lëshuar nga kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, se Natasha Lekdushi është anëtare e këtij Këshilli si përfaqësuese e PKSH-së, komunistët kanë krijuar kushtet ligjore, që të regjistronin një kandidat pa qenë e nevojshme që të mblidhnin firmat e mbështetësve që parashikon ligji. Të vetëdijshëm se një kandidat i majtë do t’i shërbente të djathtëve, përfaqësuesit e PS-së në KQZ kanë kërkuar të shtyjnë mbledhjen, me argumentin që të shqyrtonin dokumentacionin që shoqëronte këtë kërkesë. Por anëtarët e djathtë të KQZ-së, nuk kanë pranuar ta ndërpresin mbledhjen dhe kanë vijuar procedurën e votimit duke miratuar kandidaturën e Hysni Milloshit për kandidatë për kryetar bashkie. Në këtë mënyrë, për Bashkinë e Tiranës, në fletën e votimit do të jenë tre emra, ai i Lulëzim Bashës për koalicionin e djathtë, Edi Rama për koalicionin e majtë dhe Hysni Milloshi për PKSH-në.
Debatet
Mbledhja e djeshme është shoqëruar edhe me debate të forta, lidhur me një sërë çështjesh të ngritura nga përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, jashtë rendit të ditës. Gjonçaj, nisur edhe vendimmarrja e para disa ditëve për emërimin e anëtarëve të Bordit të Monitorimit, i ka kërkuar kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, që të fusë për votim edhe propozimet e ardhura nga anëtarët e majtë, pavarësisht se këta të fundit kanë më shumë se tre muaj që nuk paraqiten më në mbledhje. Por Ristani ka bërë të ditur se nuk kishte ndërmend të thërriste një mbledhje me një rend dite të tillë, duke i bërë të ditur se nëse kishte vërtetë shqetësim për emërimet në Bordin e Monitorimit, t’i drejtohej anëtarëve të majtë të KQZ-së, që të ushtronin të drejtën e tyre për të thirrur një mbledhje të posaçme për këtë çështje. Nga ky diskutim, Ristani ka marrë shkas për të ripërsëritur edhe një herë se mospjesëmarrja e anëtarëve të majtë në mbledhjet e KQZ-së përbën një papërgjegjshmëri.