E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “News 24” po blihet për t’i mbyllur gojën

Partia Socialiste ka denoncuar sërish dje, por kësaj here me terma financiare, se njerëz të afërt me qeverinë po kërkojnë të blejnë grupin mediatik “News 24”. Nëpërmjet një deklarate të posaçme për mediat, nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe ka bërë të ditur se politikanë dhe biznesmenë afër mazhorancës po përpiqen që të blejnë “News 24” për afro 7 milionë euro. “Me para të pista! Dy politikanë, ndër më të korruptuarit në vend, dy biznesmenë pa para dhe në vështirësi të madhe financiare, janë pjesa e identifikuar e operacionit. 7 milionë euro vlera e këtij operacioni”, - u shpreh Braçe, ndërsa ka theksuar se vet pronari aktual i kësaj mediaje, nuk ka pranuar ta shesë në rast se paratë nuk vijnë nga një aktivitet i ligjshëm. Braçe ka deklaruar gjithashtu se për ta bërë këtë operacion sa më ligjor, dhe për të bindur pronarin, politikanët dhe biznesmenët e interesuar po përpiqen që të përfshijnë në këtë çështje edhe një bankë, e cila sipas tij do të japë një kredi prej 7 milionë lekësh, kundrejt aksioneve në biznese të ndryshme që t’i lihen garanci. “Paratë e pista depozitohen në bankë për të mbuluar financiarisht operacionin; banka jep kredi 7 milionë euro, për dy biznesmenët e mbuluar nga paratë e pista; për këtë ata kanë ofruar si kolateral aksionet e aksionerëve të tjerë, në një kompani pijesh në vështirësi financiare; blerës fundorë nënshkruajnë po ata!”, - tha Braçe. Ajo që shqetëson më shumë PS-në në këtë histori, nuk është thjesht përpjekja për të blerë me para të pista, por përpjekja për të blerë një media kritike ndaj qeverisë në fushatë elektorale. “Ky është rasti më flagrant, se si një media e pavarur dhe profesionale - TV News 24, Radio Rash, Balkanweb, Gazeta Shqiptare - blihet nga qeveria për t’i mbyllur gojën në prag të zgjedhjeve jetike për Shqipërinë”, - tha më tej Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›