E Enjte, 5 Nëntor 2026

Milo: Partia e Lirisë, strategji për kthimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financave, Petraq Milo, tha sot se eksportet në Shqipëri kanë shënuar nivelin më të ulët historik.

Në një deklaratë për mediet, nga selia e Partisë së Lirisë, Milo nënvizoi se Partia e Lirisë, ka përcaktuar dhe një strategji të qartë për rritjen e eksporteve, dhe kthimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese.

“Eksportet shqiptare shënuan nivelin më të ulët historik, në të gjithë periudhën në vitin 2023 në 8.6% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Ndërkohë vendet e rajonit janë shumëfish më lart se sa Shqipëria. Njëkohësisht dhe eksportet e prodhimeve bujqësore, janë më të ulëta në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit”, u shpreh ai.

“Ecuria e treguesve të tregtisë së jashtme në 4-mujorin e parë të vitit 2024, tregon vazhdimisë në përkeqësimin e këtyre treguesve”, tha Milo.

Sipas tij, “përkeqësimi i këtyre treguesve në vazhdimësi, dhe qëndrimi i Shqipërisë në eksporte, në vendet më të ulëta të rajonit, tregon dhe një herë, rëndësinë që Partia e Lirisë i ka caktuar këtij prioriteti, një nga 5 prioritet kryesore, që është rritja e eksporteve.  Shqipëria nuk ka pse të ketë eksporte më të ulëta se vendet e rajonit. Dhe, Partia e Lirisë, ka përcaktuar dhe një strategji të qartë për rritjen e eksporteve, dhe kthimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese”, tha Milo.

“Duke mbështetur në radhë të parë fermerët, për rritjen e prodhimeve të tyre bujqësore dhe blegtorale.  Për rritjen e prodhimit të energjisë duke liberalizuar dhënien e licencave për energji solare, energjinë e erës, energjitë e tjera të rinovueshme. Njëkohësisht, mbështetjen e energjisë përpunuese, por mos të harrojmë krijimin e zonave të lira ekonomike, të cilat janë një nga faktorët kryesorë të rritjes së eksporteve në rajon”, tha Milo. /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›