E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza Hafizi në “News24”: Nëse do më kërkohet do lë mandatin e deputetes

TIRANE – Kryesuesja e listës për Partinë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Mimoza Hafizi, në një intervistë për “News24” deklaron se megjithëse për opinionin publik rezultati në këtë qark ishte i papritur, për socialistët ishte diçka e pritshme. Ajo thekson se përveç punës së palodhshme në terren, ndikim pati edhe programi i opozitës. Për Hafizin, punësimi do të jetë një nga prioritetet e të majtës në këtë qark.

“Qeverisja e re, kryesisht në qarkun e Shkodrës do bazohet tek punësimi dhe sidomos pesha e madhe që na dha ky rezultat, kalimi në mazhorancë nga një minorancë e thellë ku kemi qenë, me rezultatin 6 me 5, por shumë të avancuar se dhe gjashtën e kemi me 7 mijë vota mbi minimumin e kalimit të kësaj barriere. Kjo na ka ngarkuar me një përgjegjshmëri të madhe.”- deklaroi Hafizi.

Në lidhje me idenë që pritet të aplikohet nga e majta, ku personat që do zgjidhen ministra, duhet të heqin dorë nga mandati i deputetit, Hafizi sqaron se nuk shikon asgjë problematike. Nëse një ofertë e tillë do ti shkojë, zonja Hafizi sqaron se do pranojë pa asnjë lloj hezitimi të heqë dorë nga mandati i deputetit.

“Unë nuk shoh asnjë problem për të lënë mandatin e deputetit. Mandati i deputetit është një bashkësi detyrash, funksioni i ministrit është një bashkësi detyrash të tjera, por unë personalisht nuk kam asnjë problem, për të lënë mandatin e deputetit në momentin që i shërbej asaj që ne kemi premtuar para qytetarëve. Pra edhe në qoftë se ke një funksion ministri që të obligon në rang kombëtar, nuk mund të shmangësh veten nga detyrat lokale dhe rajonale që ke marrë para qytetarëve.”- deklaroi Hafizi.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Mimoza Hafizi në “News24”: Nëse do më kërkohet do lë mandatin e deputetes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›