E Diel, 1 Nëntor 2026

Mafia, një kryebashkiak mes 38 të arrestuarve në Kalabri

ROMË- Karabinierët shpallën sot 38 mandate arresti në të gjithë Italinë, veçanërisht ndaj kryebashkiakut të Scalea-s në Kalabri dhe asistentëve të tij, nën akuzat e lidhjeve me mafian.

Arrestimet dhe paralajmërimet nëpërmjet mandateve të arrestit të policisë antimafia të Catanzaros përfshijnë jo vetëm Kalabrinë por edhe Barin në krahinën e Puljas, Materan në Basilicate, Ternin në Ombria dhe Salernon.

Pasquale Basile, kryebashkiaku i Scaleas, qytet me 11 000 banorë në veri të Kalabrisë, u arrestua së bashku me pesë asistentët e tij për lidhje me mafian.

Akuzat kanë të bëjnë me bashkëpunime dhe lidhje me mafian, rrëmbime personash, armëmbajtje, zhvatje, korrupsion, prishje të qëllimshme e ekuilibrave të konkurrencës tregtare, bilance të rreme, nxitje për korrupsion apo kërcënime me anë të metodave mafioze.

Sipas disa hetimeve të publikuara nga mediat italiane, klani kalabrez Valente-Summo kishte arritur të bënte të mundur përzgjedhjen dhe fitoren e kandidatëve besnikë ndaj tij në zgjedhjet lokale të vitit 2010, duke u angazhuar më pas në favorizimin e dhënies së kontratave publike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›