Mimoza Kusari-Lila apo Valon Lluka për Gjakovën?

E tërë kryesia e Aleancës Kosova e Re (AKR) e prirë nga presidenti Behgjet Pacolli, do të zhvendosen të martën (sot) në Gjakovë. Qëllimi i shkuarjes në ish-qytetin industrialist është prezantimi i planeve të AKR-së për Gjakovën. Në këtë takim pritet të zyrtarizohet kandidati i kësaj partie për kryetar të Gjakovës.
Burime të gazetës Tribuna bëjnë të ditur se AKR-ja pritet të përcaktohet ndërmjet dy kandidatëve. Zv/presidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila është alternativa e parë për Gjakovën, mirëpo ajo ka shprehur rezerva për, siç ka thënë, shkaqe personale, duke mos u deklaruar ende nëse e pranon nominimin. Alternativë tjetër e AKR-së për Gjakovën, sipas burimeve mbetet Valon Lluka i cili vjen nga bota e biznesit.
Kusari-Lila, aktualisht zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë është e preferuar e strukturës së AKR-së dhe qytetarëve të Gjakovës për ta sfiduar sërish Pal Lekajn, kryetarin aktual të Gjakovës dhe kandidatin e AAK-së edhe për një mandat. /Indeksonline/