Mimoza Kusari-Lila kandidohet për Gjakovën

Aktualisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregitsë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila është zgjedhur kryetare e nëndegës së 7-të të AKR-së në Gjakovë, gjatë një kuvendi që është mbajtur të dielën pasdite.Ajo nuk ka pasur kundërkandidatë. Në fakt, si njofton korrespodenti i Kohës nga Gjakova, dy kundërkanditatët e saj, Xhevat Hakaj e Teuta Shala kanë tërhequr në ndërkohë kandidaturat.
Kusari-Lila synon të marrë udhëheqjen e degës së AKR-së në Gjakovës. Për këtë arsye nëndega e 7-të menjëherë e ka kandiduar atë për postin e kryetares së këtij subjekti politik në Gjakovë.
Kryetar i degës së AKR-së në Gjakovë aktualisht është Shpëtim Rudi, zv. ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
E pyetur nga KD nëse do të kandidojë edhe për kryetare të komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo nuk është përgjigjur direkt. “Unë dua të sigurohem që baza deleguese është e fortë”, ka thënë Kusari-Lila. Sipas saj, dega e AKR-së do të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme.
Zgjedhjet e brendshme në AKR në Gjakovë do të finalizohen me 28 prill.