E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha: Letra e Ramës drejtuar Barrosos, një shfajësim i panevojshëm Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e cilësoi sot si lajm të shumëpritur dhe premtim të mbajtur të qeverisë Berisha, propozimin pozitiv të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Vlerësimet ishin pjesë e fjalës së mbajtur nga Ministri Basha para studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës, në forumin” Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve”, organizuar nga France Cooperation Internacionale dhe AFP Foundation. Ai u ndal në fjalën e tij në rrugën e gjatë me shumë sfida, por të suksesshme në të cilën ka ecur Shqipëria për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Modernizimin e sistemit të lëshimit të dokumenteve të identitetit, Basha e cilësoi parakalim epokal nga një vend me praktika postotomane në regjistrin civil në praktikat më bashkëkohore dhe më modern. Ndër të tjera, zyrtari i lartë i shtetit shprehu angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur edhe detyrat shtesë të komunikuara nga Komisioni Evropian deri në vendimin final për liberalizimin e vizave. Në përgjigje të pyetjeve të studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës, të pranishëm në forum, mbi rolin e opozitës për liberalizimin e vizave dhe për letrën drejtuar Kryekomisionerit Barroso nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ministri i Brendshëm Lulzim Basha shprehu keqardhjen për “letrën e zotit Rama drejtuar Kryekomisionerit Barroso, orë pasi komisioni kishte mbaruar punë me propozimin për liberalizimin e vizave dhe e shikon si një shfajësim të panevojshëm të zotit Rama”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›