PD sqaron opinionin publik: Pse s’votuam në Parlament kandidatin Vangjel Kosta Eduart Halimi

Partia Demokratike sqaroi sot opinionin publik për votimin në Parlament të kandidatit Vangjel Kosta. “Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së në takime zyrtare me këshilltarin e Presidentit të Republikës (Spiro Peçi) ka siguruar Presidentin se mazhoranca nuk do të sugjerojë asnjë kandidat e do votojë çdo kandidat që plotëson kriteret profesionale, por që nuk kanë marrë pjesë në procese politike të regjimit barbar totalitar dhe nuk kanë mbajtur funksione politike gjatë 20 viteve të pluralizmit, qoftë në qeveritë e PS-së apo të PD-së”, u shpreh deputeti i PD, Eduart Halimi. Në një komunikim për mediat, ai theksoi se “ky vendim i mazhorancës vjen nga besimi i saj më i thellë se nuk mund të jenë në krye të drejtësisë shqiptare, tani pas 20 vitesh, gjykatësit apo prokurorët e proceseve politike të diktaturës”. “Se dyti, kjo mazhorancë beson se nuk duhet të jenë në krye të drejtësisë as zyrtarë dhe as ish zyrtarë politikë të 20 viteve të fundit, pasi kjo do të lëkundte besimin e qytetarëve shqiptarë tek pavarësia e gjyqësori”, vijoi zyrtari demokrati. Së treti, nënvizoi Hallimi, për sa i takon rastit të Vangjel Kostës, kandidati për anëtar i Gjykatës Kushtetuese gënjeu, mashtroi komisionin parlamentar në seancën dëgjimore, kur mbas pyetjes së deputetëve, nëse ka zhvilluar procese e gjyqe politike, iu përgjigj -JO! “Ndërkohë rezultoi se zoti Kosta kishte disa të tilla, për më tepër edhe në vitet e grahmave të fundit të regjimit barbar. Së katërti, lidhur me procesin e hearing kjo është arritja më e madhe e Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të njohë përmirësime të shpejta të reja. E fundit, qoftë edhe vetëm për gënjeshtrën dhe mashtrimin që bëri para deputetëve të komisionit, zoti Kosta nuk mund të pranohej”, përfundoi deputeti demokrat.